Saimir Maloku, është 71-vjeçari shqiptar, të cilit agjencia prestigjoze e lajmeve “Reuters” i ka kushtuar një reportazh duke na kthyer pas në kohën e komunizmit. “Reuters” tregon se si u arrestua shpikësi i kanaçes me të cilën mund të shikoheshin stacionet e huaja.

Artikulli i Reuters

Në ditët e izolimit pothuajse total të Shqipërisë komuniste, Saimir Maloku, përdori njohuritë e tij teknike për tu lidhur me botën e jashtme. Por për fat të keq, teksa ai dhe i ati shihnin kanalet e ndaluara telivizive italiane, regjimi po e përgjonte.

Maloku u burgos për 9 vite në vitin 1976 pasi policia bastisi shtëpinë e tij. Katër dekada më vonë, ai mund të vizitojë një muze në Tiranë dhe të shohë me sytë e tij pajisjen që e tradhtoi dikur.

Në Muzeun e Mbikqyrjes, i krijuar në ish-selitë të Sigurimit, shqiptarët tani mund të vizitojnë disa nga pajisjet e spiunazhit të përdorura nga dikatori Enver Hoxha, si dhe dosjet që mbahen për shumë prej tyre.

“Deri tani asgjë nuk është bërë për të treguar se si u spiunuan shqiptarët dhe si u mbajtën nën kontroll, kështu që ky është një hap i mirë për të ilustruar historinë e spiunimit, ndaj së cilës ishim viktima,” tha Maloku, tani 71 vjeç për Reuters.

Duke vizituar muzeun, Maloku tregoi historinë se si ai donte të ndihmonte babain e tij të paralizuar për të parë përtej transmetimeve të përditshme shtetërore shqiptare.

Si inxhinier elektronik që ishte, ai ndërtoi një pajisje që e quan “kanaçja” për të konvertuar sinjale UHF nga televizioni italian RAI në mënyrë që ato të mund të shiheshin në Shqipëri.

“Kanaçja hapte një dritare të Perëndimit për ne shqiptarët. I bëra falas për miqtë e mi, por mësova më vonë se disa prej tyre më kishin denoncuar,” tha Maloku.

Sigurimi vendosi një pajisje përgjimi në një nga muret e shtëpisë së Malokut për të mbledhur prova kundër tij. Tani, në epokën e “smartphone-ve”, si pajisja e Malokut edhe ajo e Sigurimit duken të pazakonta, por ato e bënin punën e tyre në atë kohë më së miri.  Më pas Maloku shkoi në burg për agjitacion dhe propagandë. Ai kujton se dëgjonte këngët e “Rolling Stones” dhe “The Beatles” në qelinë e tij nëntokësore për të mbajtur mendjen e shëndoshë.

Para rënies së komunizmit shqiptar në vitin 1990, ndërtesa që tani strehon Muzeun e Mbikqyrjes njihet si “Shtëpia e Gjetheve”.

(Endri Farka/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb