TIRANE- Pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare kanë perceptim pozitiv mbi regjimin komunist, ky ishte rezultati i një anketimi të kryer nga OSBE-ja vitin e kaluar (2016), një rezultat që e bën më se të nevojshëm një ballafaqim me të shkuarën.


Pikërisht me këtë qëllim, pra me “Kujtesën si mision”, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer nisi të enjten – 16 nëntor – edicionin e dytë të “Ditëve të kujtesës” që do të mbahet nga data 16 deri më 23 nëntor dhe do të jetë plot aktivitete.

Ceremonia përshëndetet nga organizatorët: Walter Glos, Drejtor i Fondacionit Konard Adenauer (KAS) dhe Dr. Jonila Godole, Drejtoreshë ekzekutive e IDMC-ës.

Gjatë ditës së parë, do të jenë gjithashtu prezent Bernd Borchardt, ambasador i OSBE-së në Shqipëri dhe Susanne Schutz, ambasadore e Gjermanisë në Shqipëri.

Diskutimi fillestar do ketë në qendër fjalën e ekspertes, Hildigund Neubert, ish-komisionere e hapjeve të dosjeve të STASI-t në Gjermani, ndërsa këtë iniciativë e përshëndet edhe intelektuali, disidenti shqiptar, Prof. Dr. Sami Repishti, me banim në ShBA.

Dita e parë e edicionit të dytë i “Ditëve të Kujtesës” do të prezantojë edhe ekspozitën “Propaganda në diktaturë”, e cila do të qëndrojë hapur përgjatë gjithë javës në Pavijonin e Persekutimit Komunist në Muzeun Historik Kombëtar. Kjo ekspozitë prezanton disa aspekte të manipulimit të masës nga Shteti komunist permes propagandës. Foto dhe artikuj nga gazeta të ndryshme do të dëshmojnë atë mekanizëm glorifikues që funskiononte për Enver Hoxhën dhe projektin e tij të Partisë-Shtet.

“Ditët e Kujtesës” organizohen në bashkëpunim me: Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë; Shoqatën e Mësuesve të Shqipërisë; Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit; Muzeun Historik Kombëtar; Drejtorinë e Përgjithshme e Arkivave; Institutin “Musine Kokalari”.

(BalkanWeb)

Etiketa: