TIRANË- Dush Martini është protagonisti i gjallë i revoltës politike të Qafë-Barit, një kamp i tmerrshëm (në Pukë) ku kushtet çnjerëzore dhe trajtimet shtazarake detyruan të burgosurit të ngrihen në një revoltë masive më 22 maj 1984, revoltë e cila u shtyp dhe shumë prej të burgosurve u pushkatuan, apo helmuan.


Por Dush Martini është gjallë dhe ka vendosur të flasë. Në një intervistë ekskluzive për “BalkanWeb” me gazetarin Erjon Skëndaj, ai tregon versionin e tij për ngjarjen. “Do të tregoj të vërtetën ashtu siç ka ndodhur”, shprehet ai.

Detaje rrëqethëse, të vërteta të pathëna mbi organizimin e të burgosurve në Qafë Bari deri tek shtypja e pushkatimi i disa prej tyre. Dush Martini tregon për herë të parë historinë e tij dhe si mundi t’i mbijetonte gjithë këtij ferri.
dushk martini erion skendaj dokumenti
Por për të arritur deri tek revolta, Martini tregon fillimisht arsyen pse u dënua. Ai thotë se ishte 18 vjeç kur i vuri flakën një kishe në Shkodër brenda së cilës torturoheshin e vriteshin martirë, siç thotë. Me këtë akt nis edhe kalvari i vuajtjeve për të. Kalon tre muaj në hetuesi, i thyen këmbë e duar që të pranonte se ishte nxitur nga klerikët. Pasi nuk pranoi u dënua me 25 vjet burg për prishjen e pronës socialiste dhe sabotazh. Martini përmend emrin e ish-gjykatësit të Kushtetueses Vladimir Kristo si personin që dha dënimin për të, madje i kërcënoi familjen në sallën e gjyqit.
dushk-martini-erion-skendaj-dokumenti-1-
Në cilin vit ratë në burg?
Dush Martini: Unë u dënova në vitin 1980 me 25 vjet burg. Isha 18 vjeç. U dënova për krime politike. Dogja një institucion siç ishte një katedrale tek varrezat në Shkodër. Ka bërë bujë në vitin 1991, ishte kisha e parë që u hap pas diktaturës. Ishte një vend brenda të cilit janë pushkatuar mjaft martirë. Ishte brenda varrezave apo si i thonë zalli i Kirit. Aty janë pushkatuar qindra martirë të shenjtë

Çfarë roli kishte kisha në sistemin diktatorial?
Dush Martini: Ishte mbyllur, dhe kthyer në objekt shtetëror. Unë e kam djegur atë objekt shtetëror dhe po përgatitesha të arratisesha sepse kisha nuhat që do më arrestonin. Gjatë hetuesisë unë kam kaluar një periudhë të tmerrshme.

Ti e pranove vendimin?
Dush Martini: Kishim disa fakte. E pranova unë që e vura zjarrin. Ishte një histori e atyre viteve. Kam një fragment që tregon arsyen e atij operativi që ka shkruar, dhe u dënova 25 vite. Këto shkrime tregojnë për ngjarjen time, i kam gjetur në Bibliotekën e Shkodrës. Ata më akuzuan se më kanë futur klerikët, ata gërmoshin në shtëpinë time, se mendonin që unë i kam marrë ato materiale.

Ti kërkoje të ktheheshin në Kishë, diçka që i ishte marrë Kishës, por ratë në burg në moshën 18-vjeçare. Ku u dënuat?
Dush Martini: Unë u dënova në burgun e Shkodrës, duhet të bëj me dije, se ai kryetari i Gjykatës Kushtetuese Vladimir Kristo, ishte personi që më dënoi dhe më kërcënoi edhe në gjyq familjen. Janë përsëri edhe sot këta personazhe të diktaturës që “jepnin plumbin e fundit”. Mora dënimin, pavarësisht se dënimin tim e quajtën jo politik. Këtu nuk është vetëm çështja ime, por e qindra-mijëra martirëve.

U penalizua familja?
Dush Martini: Familja ka pasur penalitetet e veta, heqje prej pune, kërcënime të vazhdueshme. Kishim familje të shpronësuar, nuk kishim lidhje me partitë. Babai im ishte me raport.

Momenti kur përfunduat në burgun e Qafë Barit…
Dush Martini: Pasi mora dënimin shkova në burgun e Spaçit. Do të jap një version real të asaj revolte, pasi unë jam pjesë, autor i skenarit të asaj revolte. Atje ndejta 11 vite burg. Regjimi kur hapte kampe të reja, kur lidhte kontratat me shtetet e huaja, ushtronte dhunë të egër, gjenocid të paparë ndaj skllevërve të diktaturës. Ka një kalvar të tmerrshëm vuajtjesh e persekutimesh. Unë jam gati të mbush sheshet me të persekutuarit e tjerë për të marrë të drejtën e gjithë këtyre viteve. Këta vjedhin miliarda e quhen politikanë, vjedhin arin e Rubikut. Në burgun e Shkodrës na erdhi një i dënuar ordiner, quhej Sokol, kishte vjedhur 10 kg misra në tokën që i kishte vjedhur shteti. E dënuan 3 vite, e përdorën për ta shfrytëzuar. Këto ishin politika kriminale. Një tjetër ofendoi një zyrtar, mori 3 vite burg. Politikanë quhen këta që vjedhin thesarin e këtij vendi? Diktatura i përdori të pafajshmit për t’i shfrytëzuar në skllavëri.

“BalkanWeb” publikon nesër pjesën tjetër të intervistës ku Dush Martini tregon pse dhe si u organizuan të burgosurit në revoltë

(m.a/e.f/BalkanWeb)