Armando Sadiku pas përfundimit të sezonit në Spanjë është rikthyer për të kaluar disa ditë pushimi në Shqipëri. Së fundmi, futbollisti i kombëtares dhe i Levantes është bërë pjesë e emisionit “kush vjen për drekë”, ku përveçse ka treguar ‘aftësitë’ në gatim ka folur edhe për përfaqësuesen kuqezi.

“Pritshmëritë janë të larta për Europianin e ardhshëm dhe kjo është normale. Faktikisht është e vërtetë që është ndërruar trajneri, pasi tashmë jemi nën udhëheqjen e Panuçit, por lojtarët janë po ata.

Tashmë do të mundohemi t’i bëjmë tifozët të lumtur ashtu siç i bëmë në Europian. Një e përbashkët mes De Biazit dhe Panuçit është pikërisht stili i tyre i ashpër në mënyrën e sjelljes me lojtarët. Megjithatë me De Biazin kemi kaluar vite, ndërsa me trajnerin e ri kemi vetëm disa muaj. Tashmë duhet t’i lëmë edhe pak kohë këtij të fundit. Ankesat kundrejt trajnerit? Në Shqipëri të gjithë e kanë ves të ankohen.

Unë kur kaloj në Tiranë dëgjoj njerëzit që më luten, duke më thënë se duan me patjetër një tjetër kualifikim në Europian, pasi kjo është e vetmja mënyrë që emri i Shqipërisë të njihet sa më tepër. Gjithmonë e ndiej përgjegjësinë e Kombëtares, pasi më rrënqethet mishi kur dëgjohet himni”, ka thënë Sadiku.

(e.k/BalkanWeb)