Nga: IV KALOÇI*TIRANE-Për herë të parë “Gazeta Shqiptare” publikon dokumentin “Tepër sekret” të Sigurimit të Shtetit të vitit 1978, i nxjerrë para pak kohësh nga arkivat e shtetit shqiptar, ku një listë me rreth 315 intelektualë, pjesa më e madhe e tyre, emra mjaft të njohur të artit, kulturës, skenës, ekranit dhe letrave shqipe ishin vënë në ndjekje nga shërbimet sekrete të diktaturës, duke u survejuar hap pas hapi për veprimtarinë e tyre. Vini re se dosja në fjalë është “Ekzemplar i vetëm” – “A res. personal” dhe mban datën 16.8.1978. Kjo dosje që mban firmën e ish-zv/drejtorit të Punëve të Brendshme, Zef Loka përmban listën me emrat e 315 intelektualëve të kryeqytetit që ndiqeshin nga Sigurimi. Lista ndodhej në dosjen e punëtorit operativ që ka shërbyer në një periudhë të caktuar kohe, i cili për shkak të transferimit të tij në një detyrë tjetër, ia ka dorëzuar atë kolegut pasardhës. “GSH” po boton sot pjesën e dytë të listën me 150 emra.

(vijon nga numri i djeshëm)

INTERVISTA QE SHPJEGON DOSJEN
Një listë e gjatë ku figurojnë rreth 315 emra intelektualësh, të skenës, ekranit, artit, kulturës dhe letrave shqipe, ku midis tyre janë edhe mjaft personalitete të shquara si: Elena Kadare, Vaçe Zela, Rikard Ljarja, Marie Kraja, Robert Ndrenika, Adelina Mamaqi, Margarita Xhepa, Vasillaq Vangjeli apo Arben Imami, ishin objekt survejimi dhe ndjekjeje nga organet e Sigurimit të Shtetit gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës. Dokumenti që po botohet sot në “Gazetën Shqiptare” është nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar dhe mban siglën “Tepër sekret”, i përket vitit 1978. Dosja në fjalë, prej nga është nxjerrë edhe lista me emrat e 315 intelektualëve të kryeqytetit ndodhet në dosjen e punëtorit operativ që ka shërbyer në atë periudhë kohe, i cili për shkak të transferimit të tij në një detyrë tjetër, ia ka dorëzuar atë kolegut pasardhës. Sot, në pjesën e dytë të dosjes së Sigurimit, shumica e intelektualëve klasifikohen si pjesë e grupimit kundër-revolucionar.
Lista e 315 intelektualëve është e kategorizuar në disa grupime, si p.sh: “Persona të regjistruar që i përkasin Drejtimit të Kundërzbulimit”, “Persona që i përkasin drejtimit të Grupimeve Kundërrevolucionare”, etj. Por për të pasur një ide më të qartë se ç’përmban ajo dosje, për ç’farë ka shërbyer dhe përse figurojnë aty disa nga emrat më të njohur të artit, kulturës dhe letrave shqipe të para viteve ’90-të, ne iu drejtuam për një intervistë të shkurtër, apo më saktë për një sqarim, njërit prej ish-funksionarëve të lartë të ish-Sigurimit të Shtetit, i cili preferoi të mbetej anonim. Intervista në fjalë, natyrisht që mund të ishte shumë më e gjatë dhe me shumë sqarime, por ne po e botojmë më poshtë aq sa mundëm të marrim prej ish-funksionarit të lartë të Sigurimit të Shtetit, pa i bërë asnjë ndryshim. E njëjta intervistë u botua dje në pjesën e parë dhe po ribotohet sot në pjesën e dytë e të fundit, për shkak se ajo gjykohet e domosdoshme për mënyrën se si funksiononte Sigurimit i Shtetit në atë kohë.
Si fillim deshëm t’ju pyesim a është autentik ky dokument që po botojmë më poshtë dhe perse shërbente ai?
Po, ky dokument është 100% autentik dhe është një nga dokumentet e asaj periudhe, pra të para viteve ’90, kur ka funksionuar arma jonë e Sigurimit të Shtetit. Ky dokument ka të bëjë me dorëzimin e marrjen e detyrës nga dy funksionarë të Sigurimit të Shtetit dhe si i tillë, pra në këtë kontekst kohor, ai duhet parë për kohën kur bëhet fjalë aty. Të ndalemi më konkretisht tek pyetja juaj: Sipas rregullit, procesi i marrjes dhe i lënies së detyrës vazhdonte një muaj dhe kjo gjë ishte bazuar në rregulloret dhe urdhrat e Ministrisë së Brendshme. Gjatë këtij muaji, realizoheshin dy procese. Marrësi i detyrës do firmoste se ishte njohur me të gjithë procedurën ligjore, aktet normative, rregulloret, etj. Në këtë proces realizohej marrja e detyrës: A-Agjentura, (Rrjeti Informativ), dorëzuesi i detyrës e njihte marrësin e detyrës, me kontakte fizike me agjenturën, sipas grafikut mujor të takimit. Në këtë proces bëhej kalimi i marrjes në lidhje, si dhe respektohej etika me falenderimet përkatëse për punën e kryer deri në atë moment. B-Marrja në dorëzim e tërë dokumentacionit. Ç’farë dokumenti merrej në dorëzim: Dokumente që kishin të bënin me agjenturën, dosje pune dhe dosje personale, (dosjet personale, ishin pak a shumë si dosjet e kuadrit dje dhe sot). Dosjet e punës përmblidhnin të gjithë materialin e punës të raportuar nga agjenti: Harmonizimi i kontaktit fizik me studimin e dokumentacionit realizonte marrjen në dorëzim të rrjetit sekret informativ. (merrej në dorëzim……) 2-O.R.V (Objekte të Rëndësisë së Veçantë). Objekte të cilat gjykoheshin se ishin të një rëndësie të veçantë, për shkak të karakterit të tyre specifik, nga pikëpamja ekonomike, politike, ose shkencore. Këto institucione (O.R.V), siguroheshin dhe ruheshin me masa ushtarake, policore, si dhe agjenturore. PSh. Radio-Televizioni Shqiptar kishte njësi ushtarake dhe policore. Kabina e transmetimit, (studio e lajmeve) ruhej me policë të armatosur çdo 24 orë. Radio-Stacionet si Fllaga, Cërriku, etj. ruheshin me forca ushtarake, policore si dhe agjenturore në çdo pikë të saj. Të kthehemi te Radio-Televizioni Shqiptar që përmendëm më lart: I gjithë rrjeti sekret informativ ishte pothuaj në sferën teknike dhe pothuajse inekzistent në redaksitë, programacionet, apo departamentet e tjera.
Cilat ishin objekte të tjera O.R.V.?
Objekte të tjera O.R.V, ishin gjithashtu; hidrocentralet, ujësjellësit, fabrikat e bukës, etj. C-Dosjet Objekt Ndjekjeje: 1-Fashikulli ose Dosje e Përgjithshme Informative në të cilat shërbimi i Sigurimit, grumbullonte informacionin, të dhëna, fakte, komente, opinione, etj. të cilat shërbenin si lëndë e parë për informacione, relacione, apo analiza, që ky shërbim i dërgonte udhëheqjes së lartë të vendit (Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Byrosë Politike). P.Sh: Në listën që botohet më poshtë figuron edhe emri i Vaçe Zelës, këngëtares së famshme të para viteve ’90-të. Sipas informacioneve të grumbulluara në rrugë operative, Vaçja, por edhe shumë artiste të tjerë, kishin pikëpamjen dhe mendonin se trajtimi financiar i artistëve tanë, kryesisht gjatë turneve jashtë shtetit, ishte jo dinjitoz dhe në përpjesëtim të zhdrejtë me kontributin që jepnin këta artistë në rritjen e popullaritetit të vendit në botë. Për shumë arsye, ky pretendim nuk transmetohej në rrugë institucionale, legale, të hapura, por në këtë rast ndërhynte shërbimi i Sigurimit dhe e çonte informacionin lart në Udhëheqje.
Pra, për të gjithë këta persona që flisnin dhe shprehnin pakënaqësi kundër regjimit, hapej dosje dhe emri i tyre futej në listë për t’u survejuar dhe ndjekur në lidhje me këtë problem…?!
Në parim po, por duhet thënë se lista apo dokumentet që botohen më poshtë, të cilët bënin pjesë në fashikullin apo dosjen e informative, nuk ishin objekt ndjekjeje nga Sigurimi, por pika reference për komunikim me udhëheqjen politike. Kjo listë ishte e normuar, që një herë në tre muaj të analizohej nga shefi përkatës dhe nëse, problematika konsiderohej e ezauruar, ajo fshihej me procesverbal të rregullt. Siç fshihej një pjesë, ashtu mund të shtohej edhe një diçka tjetër që e nxirrte dinamika. Në rast se lista e mëposhtme është e vitit 1978, në vitin 1983, me zëvendësimin e punëtorit operativ përkatës, do të shihet se është një listë krejt e ndryshme nga kjo. Si përfundim lista, pjesë përbërëse e dosjes së përgjithshme të informatorit, nuk është listë e ndjekjes operative.
Po cilat janë dosjet e ndjekjes operative?
Pyetja juaj është e saktë dhe këtu desha të dal? Cilat janë dosjet e ndjekjes operative? 1-P.P (Përpunim Paraprak). Është ndjekje e cila synon verifikimin e të dhënave të grumbulluara. Në rast se e dhëna konfirmohej, personi vazhdonte të ndiqej dhe të kthehej në një objekt të zbatimit të të gjitha llojeve të punës operative. Në rast se nuk konfirmohej e dhëna, personi hiqej nga lista dhe materiali asgjësohej. Periudha e verifikimit të të dhënave ishte tre muaj. Dosje Ndjekjeje 2 A: Ishte procesi i ndjekjes dhe i zbatimit të të gjitha masave operative me agjenturë, sipas rastit me dëshmitarë, me mjetet e teknikës operative, me agjenturë, me kontroll postar dhe telefonik, etj., duke aplikuar kështu vëzhgimin e personit, nëse situate e kërkonte. Ndjekja realizohej vetëm për figurat e krimit të parashikuar nga Kodi Penal i RPSSH-së dhe secila figurë kishte afatet e veta përkatëse të ndjekjes operative. Për ilustrim po japim afatet e ndjekjes operative sipas figurave të krimit. A-Agjitacion dhe Propagandë, jo më shumë se 1 vit, B-Terrori, sa më shpejt të jetë e mundur, dhe jo më shumë se 3 muaj, C-Arratisja, 6 muaj, D-Spiunazhi, 5 vjet. Këto afate përcaktoheshin rigorozisht. Pasi plotësohej dokumentacioni si dhe procedura përkatëse, veprohej sipas rastit. 3-Format Përmbyllëse: Këshillime, arrestime për rastet flagrante, tërheqje nga bashkëpunimi me material komprometues, etj. Këto dokumente arkivoheshin në Ministrinë e Brendshme. Dosjet 2B: Është për kontroll operativ. Këto ishin dosje për personat që dikur kishin qenë në veprimtari antiligjore, por me kalimin e kohës kishin hequr dorë, ose ishin këshilluar për këtë gjë, por që potencialisht mund të riaktivizoheshin. Për këto subjekte ekzistonte mundësia për rifillimin e veprimtarisë armiqësore. Për këtë arsye ata herë pas here vëzhgoheshin. Po kështu, këto dosje shiheshin për cilësitë e tyre historike.
Kush për shembull?
Psh. në këtë rast është shembulli i Petro Markos. Në dosjen e të cilit mund të gjesh dokumente, raporte të SIM-it italian për veprimtarinë e Markos në internim, relacione për miqësinë e tij me Mehmet Shehun në Luftën e Spanjës, konsiderata të tijat për emigracionin politik shqiptar etj. Për shkak të kësaj pasurie, kjo apo dosje të tjera si kjo janë të ruajtura për studiuesit. Pra, sipas këtij sqarimi të shkurtër që ju bëra më lart, kush të lexojë emrin e tij në ndonjë dokument si ky që po botoni ju, është i lirë që ta gjykojë vetë nëse ka qenë në ndjekje operative apo jo? Dhe kjo vlen veçanërisht për… .të cilët janë në kërkim të një disidence të paqenë…?!
Së fundi, çfarë mund të shtoni?
Në këtë procesverbal që ju po botoni, e thënë ndryshe, një akt administrativ është edhe një listë me emra të konsideruar kontingjente. Kjo kategori përfshin elemente, të cilët nga informacionet apo dokumentet rezultojnë se ishin “me biografi” politike jo të pranueshme. Këto lista gjithashtu nuk ishin permanente, por sqaroheshin pozicionet dhe hiqeshin, apo dhe shtoheshin të rinj. Këto vlenin gjithashtu edhe për një kontroll të emërtesave të larta politike. Udhëheqja e lartë politike, herë pas here kërkonte të emëronte në funksione të larta shtetërore persona të ndryshëm dhe mund të kërkonte sqarime në shërbimin apo organet e Sigurimit të Shtetit. Ishte në gjykimin e politikës nëse e merrte në konsideratë informacionin e marrë apo jo. Kjo varej prej tyre.
Faleminderit!
Faleminderit edhe prej jush dhe gazetës që përfaqësoni!

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb