Nga FATMIRA NIKOLLI*


Një nudo elegante, të fton të hapësh kapakët e një botimi të vyer. Me të prekur ato letra, parasysh të dalin rrugica të rregullta të Korçës, portrete femrash sharmante, apo meshkujsh tërheqës, plot shprehi, mandej vizatime të kujdesshme, ku duket sikur lapsi i ka përkëdhelur figurat që marrinjetë prej tij, ashtu sikundër në faqen matanë, të njëjtën gjë ka bërë peneli. Në ato fletë të ngjyrshme, përmblidhen vite të tëra, ndjesi të shumta, dhe një talent që as sot nuk duket të jetë fort i konkurrueshëm. Pos tyre, ka imazhe të familjes së artistit dhe rrëfime që shkojnë vite tutje, për të nxjerrë nga skutat e kujtesës, çaste pothuaj të harruara.

Plot 50 vepra të piktorit të njohur Vangjush Mio, janë vjedhur. Studiuesja e artit, Suzana Varvarica Kuka e bën të ditur këtë fakt, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ndërsa flet për librin e saj më të ri, “Vangjush Mio”, një botim i mirëfilltë për artin, që i qaset krijimtarisë dhe jetës së piktorit të njohur, një nga të gjashtët që shënjuan lindjen dhe zhvillimin e artit laik apo jofetar në Shqipëri. Pesë prej këtyre punëve, vijnë me imazhe, ndërsa të tjerat, ndonëse nuk mungojnë të gjitha, kanë cilësi të dobët. Porse, libri i studiueses, bashkon në 420 faqe ilustrime, piktura, vizatime, fotografi dhe rrëfime të atyre që e njohën nga afër Mion, pa lënë mënjanë, as ata artikujt që u shkruan për të, prej 1920-ës kur ai u pikas si artist e deri më sot.

Shumë prej fotografive të tij, vijnë për herë të parë e krahas tyre, piktori në letër tashmë na shfaqet më i plotë, me detaje nga vendet ku studioi, vendet ku jetoi dhe ndikimin që patën këto eksperienca, te piktori dhe piktura. Fotografitë e librit janë realizuar nga Albes Fusha dhe Ardian Fezollari, konsulent shkencor është Prof.dr.Ferid Hudhri, redaktimi letrar është bërë nga Dhurata Agalli, dizajni grafik nga Elzana Agolli ndërsa sponsore e botimit është Rozeta Mio, vajza e artistit.

(Intervistën me znj.Varvarica e lexoni në numrin e sotshëm të Gazetës Shqiptare”
(ar.sh/BalkanWeb)