TIRANE- Në një kohë kur nesër pritet të mbahet seanca në Gjykatën e Apelit mbi kërkesën e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili kërkon heqjen e masës “arrest shtëpie” dhënë nga Gjykata e Krimeve të Renda, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu ka thënë se vendimi i Apelit duhet të bazohet mbi prova dhe jo presione.

Në një prononcim ekskluziv për “BalkanWeb” Donald Lu i ka bërë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, pasi sipas tij ka raportime nga burime te pavarura për presione dhe ryshfete ndaj gjykatësve.

“Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”- ka thënë Donald Lu për “BalkanWeb”.

Kujtojmë se Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar më 12 maj 2018, masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, të akuzuar si të përfshirë në trafik droge me grupin Habilaj. Vendimi i gjykatës urdhëron Tahirin të mos largohet nga banesa e tij që ndodhet në Tiranë, tek Rruga “Kodra e Diellit”.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: