TIRANE– Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë organizoi më datë 13 qershor, në kuadër të zbatimit të planit të veprimit për sezonin, një takim me operatorë turistikë, përfaqësues të sektorit të hotelerisë dhe restoranteve.


Gjatë takimit, biznesi vlerësoi masën e marrë nga qeveria shqiptare për uljen e TVSH-së për strukturat akomoduese nga 20% në 6%.

Drejtori i DRT Tiranë, i ftoi tatimpaguesit të përmirësojnë vetëdeklarimin e qarkullimit dhe të pagesës së TVSH-së, për të gjithë muajt e sezonit turistik. Ai theksoi se tatimpaguesit, të cilët do të reagojnë pozitivisht ndaj kësaj ftese, të administratës tatimore që me deklaratën e TVSH-së së periudhës tatimore maj 2018 dhe në vijim gjatë muajve të tjerë të sezonit, nuk do të jenë objekt i kontrolleve të plota në vend, i vizitave fiskale, i monitorimit të xhiros së realizuar apo i kontrolleve nga zyra.

Edhe më herët, tatimet u kanë bërë të njëjtën thirrje bizneseve, në një njoftim ku thuhej. “Të gjithë, tatimpaguesve do t’u krijohet mundësia për të negociuar me përfaqësuesit e drejtorive përkatëse rajonale, në lidhje me kërkesën për të përmirësuar nivelin e përmbushjes vullnetare të detyrimeve për TVSH-në.

Tatimpaguesit, të cilët do të reagojnë pozitivisht ndaj kësaj ftesë, të administratës tatimore që me deklaratën e TVSH-së së periudhës tatimore maj 2018 dhe në vijim gjatë muajve të tjerë të sezonit, nuk do të jenë objekt i kontrolleve të plota në vend, i vizitave fiskale, i monitorimit të xhiros së realizuar apo i kontrolleve nga zyra.

Objekt i kontrolleve të plota në vend, i vizitave fiskale, i monitorimit në vend i xhiros së realizuar apo i kontrolleve nga zyra do të jenë vetëm tatimpaguesit, të cilët nuk përmirësojnë në nivele të pranueshme vetëdeklarimin e tyre për xhiron dhe për TVSH-në e pagueshme për të gjithë muaj e sezonit turistik.

Për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, qëllimi kryesor është zbatimi i ligjit, duke u siguruar se sistemi është i drejtë dhe i barabartë për të gjithë. Kjo është arsyeja, pse strategjia jonë e vë theksin te rritja e cilësisë së shërbimeve për tatimpaguesit”.

Ditën e djeshme, tatimet nxorën një njoftim tjetër, sipas të cilit individët, të cilët zotërojnë asete të tilla, si shtëpi apo apartamente dhe i ofrojnë me qira, të shfrytëzojnë të drejtën për të përfituar të ardhura të ligjshme dhe këto të ardhura janë të tatueshme me shkallë tatimore 15%./monitor/

(BalkanWeb)