Parkut të Liqenit Artificial dhe atij të Farkës u janë shtuar edhe 150 rrënjë ullinj. Aksionit të Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e 100 mijë pemëve iu bashkuan edhe nxënësit e kolegjit greko-shqiptar “Arsakeio” dhe ambasadorja e Greqisë, Eleni Sourani. Gjithashtu, edhe një grup studentësh nga “Qyteti Studenti” mbollën 65 drurë dekorativë në lulishtet përreth mjediseve ku jetojnë. “Jam shumë i lumtur që, teksa i afrohemi finishit të qëllimit tonë për 100 mijë pemë, miqtë tanë nga ambasada greke dhe stafi i tyre na kanë dhuruar 150 ullinj cilësorë nga Greqia. Një pjesë e tyre do të jenë këtu në Parkun e Liqenit, pjesa tjetër në parkun e Farkës”, tha kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Ai ftoi që nisma e ambasadës greke në Tiranë të ndiqet edhe nga përfaqësues të tjerë diplomatikë, që të lënë gjurmën e tyre gjatë kohës së shërbimit në kryeqytetin shqiptar. “Janë ndër të parët që i janë bashkuar kësaj nisme dhe besoj që në shembullin e tyre edhe ambasadat e tjera do na ndihmojnë. Kështu, do kenë mundësinë të thonë se kur shërbeva në Shqipëri, mbolla pemët e mia dhe u bëra pjesë e revolucionit të gjelbër të Tiranës”, deklaroi Veliaj. Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Eleni Sourani vlerësoi nismën e Bashkisë së Tiranës për gjelbërimin e qytetit. “Jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e kësaj nisme të kryebashkiakut dhe të shohim që këto zona zbukurohen gjithnjë e më shumë. Jemi miq, jemi fqinj, e duam të sjellim tek ju diçka që e kemi në zemër, pemën e ullirit. Është simbol prej mijëra vitesh dhe simbolizon paqen dhe begatinë”, tha Sourani.

Por, nismës së Bashkisë së Tiranës iu bashkuan edhe të rinjtë e “Qytetit Studentit”, të cilët mbollën 65 drurë dekorativë, që do t’i shtojë hijeshinë lulishteve mjediseve përreth bujtinave. “Jam i bindur se kjo fushatë do të kthehet në standard për angazhimin publik në qytetin tonë. I falenderoj nga zemra gjithë qytetarët që u bënë pjesë, por sidomos studentët”, u shpreh Veliaj. Drejtoresha e “Qytetit Studenti”, Anila Shehu, tha se mbjellja e pemëve krijon një mjedis më të shëndetshëm për studentët. Një kontribut të rëndësishëm për mbjelljen e këtyre pemëve të reja dhanë edhe fondacioni “Rikthe Buzëqeshje”, si edhe grupi i biologëve të gjimnazit “Sami Frashëri”.
thumbnail_Veliaj mbjellje pemesh me ambasaden greke (4)

thumbnail_Veliaj mbjellje pemesh me ambasaden greke (3)

thumbnail_Veliaj mbjellje pemesh me ambasaden greke (2)

thumbnail_Veliaj mbjellje pemesh me ambasaden greke (1)

thumbnail_Veliaj gjate mbjelljes se pemeve te Qyteti Studenti (2)

thumbnail_Veliaj gjate mbjelljes se pemeve te Qyteti Studenti (1)
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb