Real Madrid zyrtarizoi dje Julien Lopeteguin si trajnerin e ri të ekipit, por raportimet e fundit zbulojnë se ai nuk ishte zgjedhja e parë e ‘galaktikëve’. Ashtu siç është raportuar në media Max Allegri ka refuzuar drejtimin e kampionëve të Europës.

Vetë italiani, gjatë edicionit të katërt të “Mr. Allegri Junior Camp” që zhvillohet në Livorno, ka zbuluar detajet: “I kam thënë jo Real Madridit sepse i kisha dhënë fjalën Juventus për të vazhduar bashkëpunimin.”

Më tej Allegri shton: “Falënderova Florentino Perezsepse më telefonoi personalisht dhe e konsiderova si një gjest respekti. Por i kisha dhënë fjalën Juves dhe nuk mund të kthehesha pas.”

Më pas numri 1 i bardhzinjve foli për sezonin e ardhshëm: “Do të nisim gjithçka nga e parë duke synuar titullin dhe Champions League. Napoli, Inter dhe Roma do të jenë rivalet tona. Ancelotti do të jetë një vlerë shtesë për Napolin.”

Për merkaton e Juves: “Milinkovic Savic dhe Cancelo janë dy futbollistë të aftë që më pëlqejnë, por nuk mund të shtojë asgjë më shumë sepse nuk janë lojtarë që luajnë për Juven. Golovin? Thonë që është i aftë, por nuk e kam parë kurrë.”

Në fund, një koment për Botërorin: “Kroacia është skuadra që më tërheq më shumë dhe jam kurioz të shohë se deri ku do të shkojë.”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb