DURRËS- Hackeri shqiptar i kërkuar nga Italia, i arrestuar një ditë më parë në Durrës do të qëndrojë në burg deri në ekstradimin e tij drejt vendit fqinj.


Gazetarja Klodjana Haxhiaj raportoi për “BalkanWeb” se në seancën me dyer të mbyllura, Gjykata e Durrësit vendosi pranimin e kërkesës së prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për miratimin e arrestimit të përkohshëm, ndaj shtetasit shqiptar Tedi Hoxha.

Kjo, për shkak të Urdhrit të Arrestit Ndërkombëtar të nxjerrë me vendimin penal me nr.15542/2015 RG dt.20.10.2016 të Gjykatës së Hetimeve Paraprake Itali, i akuzuar për veprat penale te “Organizatës Kriminale” “Konspiracionit penal me synim eksesin e paautorizuar ne sistemin e Informacionit” dhe “Instalimit të pajisjeve Iterceptuese, ndalimit ose ndërprerjes së komunikimeve Informatike ose telematike”, Parashikuar nga nenet 416, 615, 617 të Kodit Penal Italian dhe neni 55 i Dekretit nr.23 1/2007 të Presidentit të Republikës.

Po kështu gjykata vendosi caktimin e masës së sigurimit arrest në burg për shtetasin Tedi Hoxha, me qëllim Ekstradimi konform rregullave ligjore për llogari të Drejtësisë Italiane. 38-vjeçari është arrestuar nga policia e Durrësit, pasi ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane.

(m.k/BalkanWeb)