TIRANE- Deputeti socialist Ulsi Manja ka deklaruar para Kuvendit se mazhoranca është e vendosur për të zgjedhur në seancën e sotme plenare Prokurorin e ri të Përgjithshëm të Përkohshëm. Në një deklaratë për mediat, ai ka theksuar se Adriatik Llallës i ka mbaruar mandati, dhe tashmë do të zgjidhet Kryeprokurori i ri.

Por teksa deputeti socialiste fliste para gazetarëve, ka ndërhyrë kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Ajo i ka kërkuar deputetit Ulsi Manja që të reagojë për përplasjet e policisë me protestuesit. Sipas saj, gra dhe vajza protestuese janë dhunuar.

“Ulsi ti po flet kot, këtu po rrihen e po tërhiqen zvarrë gra e vajza. Ulsi zgjidhu ti prokuror i Përgjithshëm. Ju jeni më keq se Enver Hoxha. Ju jeni diktatura e drogës”, tha Kryemadhi.

Pas kësaj, deputeti socialist tha se “Seç hall ka opozita për të mbajtur në detyrë një prokuror që i ka mbaruar mandati, vetëm opozita e di”.

(el.sp/BalkanWeb)

Etiketa: