TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas lajmit tronditës për vdekjen e foshnjave në maternitetin “Koço Gliozheni” ose të njohur ndryshe si materniteti i ri në Tiranë, të bërë publik nga denoncimi i deputetit demokrat Bardh Spahia.


Berisha thotë se ky është një krim makabër i ndodhur vetëm në vitet 1970 kur në të njëjtin maternitet ra një epidemi. Por ai thotë se më e rëndë është fshehja e së vërtetës nga kryeministri dhe ministrja e Shëndetësisë.

Edhe këtë gjë ai e krahason me fshehjen e ngjarjes në fillim të viteve ’70 nga klika e diktatorit Hoxha. Berisha publikon mesazhet e një mjeku dhe një infermiereje nga ky spital që denoncojnë vdekjet.

STATUSI I BERISHËS
Noriega dhe ndrikull Manastirliu fshehin një krim makabër që ka ndodhur vetëm në vitet 1970!
Të dashur miq, lajmet e këtij fillim viti nga materniteti “Koço Gliozheni” janë lajmet me tronditëset që vijnë nga ky maternitet që nga fillimi i viteve ‘70 të shekullit që kaloi.
Burime të brendshme informojnë se vetëm në 10 ditëshin e parë të janarit, në këtë maternitet, nga 100 lindje vdiqën 10 të porsalindur. Pra i bie që vdekshmëria foshnjore të jetë 100 për mijë apo ndofta më e larta në botë.
Me tronditëse dhe kriminale është fshehja nga Noriega dhe ndrikull Manastirliu, të cilët me këtë akt antinjerëzor dëshmojnë ndjenjat e tyre kafshërore me të cilat mbajnë karriget e tyre. Kriminale është përgjigja e këtij institucioni ndaj denoncimit publik të deputetit demokrat Spahia. Rikujtoj këtu se në fillim të viteve 70 në të njëjtin maternitet ra një epidemi që mori brenda një kohë të shkurtër dhjetëra jetë të sapolindurish dhe klika diktatorit Hoxha e mbajti të fshehur nga publiku si sekret shtetëror.
I bëj thirrje Organizatës Botërore të Shëndetësisë, UNICEF të sjellin me urgjencë ekipet e tyre në Shqipëri për të zbuluar shkaqet e vdekjeve të pothuaj masive të foshnjave në maternitetin kryesor të vendit dhe fshehjen e kësaj situate katastrofale nga Noriega dhe Ndrikulla e tij!
Këtu me poshtë keni mesazhet nga mjekë dhe infermiere dixhital të maternitetit “Koço Gliozheni”! sb
“I nderuar Doktor! Jam mjek në Maternitetin “Koco Gliozheni”. Doja t’ju thosha që gjithçka ka denoncuar Zoti Spahia për gjendje në këtë maternitet është e vërteta lakuriqe madje ka dhe më keq. Zonja që u zgjodh të na drejtojë është pa asnjë ditë pune në spitalet publike ka punuar veç në klinika private. E ka bërë aq të pamundur punën aty për ne sa mjeku me të cilin punoja, gjinekologu më i mirë i yni e ndër më të mirët në Shqipëri doktor Arben Pepa u largua përfundimisht nga puna dha dorëheqjen nga mospajtimi me këtë situate. Kush ka ndërgjegje profesionale nuk punon në këto kushte. Me respekt..”
“Përshëndetje dr Berisha jam infermiere në repartin e obstetrikës se maternitetit “Koço Gliozheni”. Ju lutem informoni publikun për vdekjet e përnatshme dhe përditshme të bebeve në maternitetin tone. Reparti ynë është shndërruar në repart vdekje foshnjash dhe terrori ndaj nesh për të mbyllur gojën. Unë kam shumë vite që punoj por kjo gjendje nuk ka ekzistuar kurrë. Vetëm 10 ditët e para të janarit kanë vdekur 10 foshnje. Situata është dramatike”.

Berisha fb

(m.k/BalkanWeb)