Albian Ajeti, vëllai i Arlind Ajetit, që aktivizohet me Bazel pritet të bëjë debutimin e tij me përfaqësuesen e Zvicrës në fund të këtij muaji, në dy miqësoret që skuadra e drejtuar nga Petkoviç ka planifikuar si pjesë të përgatitjeve të saj për Rusi 2018.

Alternativat e Zvicrës në majën e sulmit janë të pakta dhe për këtë arsye trajner Vladimir Petkoviç e ka të qartë se duhet të eksperimentojë me emrat e rinj për të gjetur ‘pykën’ që i nevojitet në Botëror. Një ndër emrat që do të jetë në prove për këtë kohë është Albian Ajeti, i cili duket se ka zgjedhur përfundimisht Zvicrën dhe parashikohet të ketë mundësinë të debutojë me të në mars.

Sulmuesi i Bazelit është në listën paraprake të Zvicrës U21 për ndeshjet e marsit, por në njoftimin që është shpërndarë ne mediat zvicerane, theksohet se ai do të konfirmohet përfundimisht në të vetëm nëse Petkoviç nuk e grumbullon me ekipin A deri më datë 16 mars, kur të bëhet publike lista zyrtare për ndeshjet ndaj Greqisë dhe Panamasë.

Pak muaj më parë edhe trajneri i kombëtares shqiptare, Christian Panucci, në një intervistë për mediat e pranoi se Albiani nuk do të luante për kuqezinjtë. “E dimë prej kohësh që nuk do të vijë me ne.”

(BalkanWeb)

Etiketa: