Nga Klodiana Lala
Prokurori i Apelit Tiranë, Gentian Trenova u përball ashpër me organet e vettingut. Ai doli këtë të enjte në seancë dëgjimore publike, përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e votoi me përparësi pasi kandidon për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.


Nga sa rezultoi në seancë, ish-prokurori i krimeve të Rënda kishte probleme me dy shtyllat e vettingut; pasurinë dhe aftësinë profesionale. Në raport thuhej se jo vetëm nga ILDKPI, por edhe nga hetimi i thelluar i komisionit ka rezultuar se prokurori ka bërë deklarim të rremë dhe ka mungesë të burimeve financiare.

Në lidhje me pasurinë, në raport evidentohej fakti se prokurori i Apelit kishte deklaruar si pasuri një apartament në rrugën “Ferit Xhajko” në Tiranë, blerë në vitin 2007.

Për Komisionin çmimi i blerjes ishte fiktiv. Kjo, pasi në kontratën e parë, vlera e apartamentit ishte deklaruar 40 mijë euro, ndërsa në të dytën deklarohej se prona ishte blerë me vlerën e 1 milionë e 900 mijë lekë. Këtë apartament – thuhej në raport – prokurori ua dhuroi përmes një kontrate fiktive prindërve të bashkëshortes, në një kohë që vijonte dhe vijon të jetojë po aty. Me këtë veprim – tha relatorja – Gentian Trenova ka kompromentuar rëndë figurën e magjistratit.

Prokurori u shpreh se këtë banesë ua dhuroi prindërve të gruas, pasi atyre u lindi nevoja të merrnin një kredi, për shkak se shtëpia me qerpiç ku banonin ishte e shkatërruar dhe po mendonin ta jepnin për ndërtim. Ai nuk dha asnjë shpjegim kur kryesuesi i trupës Lulzim Hamitaj e pyeti, përse nuk e mori mbrapsht banesën e vetme që kishte kur plani për kredinë nuk u realizua.

Edhe përfaqësuesi i ONM, belgu Teo Jakobs, i drejtoi disa pyetje prokurorit Trenova, që lidheshin me blerjen e apartamentit.

“Ju duhet të zgjidhni mes dy të këqijave. Ose duhet të pranoni që e keni fshehur kontratë, ose që keni bërë deklarim të rremë. Deri ku shkon përgjegjshmëria juaj si prokuror, kur jeni ju që duhet të hetoni personat që shkelin ligjin”, tha vëzhguesi belg.

Sa u përket aftësive profesionale, në raport thuhej se prokurori Trenova nuk ka kryer hetime të thelluara për pasuritë e shtetasit V.L., i dënuar për trafik droge, ndërsa ka pushuar hetimet për prokurorin A.K., i dyshuar për korrupsion.

Gentian Trenova sqaroi se çështja e prokurorit ishte hetuar më herët nga dy kolegë të tij për më shumë se dy vjet dhe nuk kishin arritur në asnjë rezultat. Për rastin e shtetasit V.L., prokurori këmbënguli se policia nuk i referoi asnjë provë.

Edhe në këtë pikë, vëzhguesi i ONM, e fshikulloi Trenovën dhe kërkoj shpjegimeve të detajuara prej tij, duke i kujtuar se nuk mund të fshihej as pas policisë dhe as pas eprorëve.

Teksa kërkoi konfirmimin në detyrë, prokurori tha përpara komisionit se ka dorëzuar prova të reja dhe ka bërë shpjegimet e nevojshme, që do të duhej të ishin integruar në raport.

Në përfundim të seancës së tensionuar prokurori i Apelit, u largua pa bërë asnjë koment për mediat. Gjasat janë që ai të shkarkohet nga detyra. Megjithatë për fatin e tij do të mësohet në seancën e 20 qershorit, ditë kur Komisioni do të shpallë verdiktin.

(BalkanWeb)