Nuk ka një formulë të vetme për të parandaluar shenjat e plakjes, por një regjim i mirë ushqimor, dhe përdorimi i vitaminave dhe suplemente bimore, mund të lehtësojnë tranzicionin nga një dekadë në tjetrën. Studimet kanë treguar se doza e duhur e vitaminave mund të funksionojë si antioksiduesit dhe të shtojnë jetëgjatësinë.

Vitaminat B janë jetike për shëndetin mendor, ndërkohë që vitamina D është e rëndësishme për lëkurën dhe shëndetin e përgjithshëm në çdo moshë. Kalciumi gjithashtu kryeson listën e vitaminave që duhet të merren me kalimin e moshës, pasi ofron mbrojtje të kockave, shkruan “shëndeti”.

Ja çfarë vitaminash duhet të përdorni gjatë të 40-ave, 50-ave, 60-ave dhe 70+

Gjatë të 40-ave
Nëse të 30-tat i keni kaluar në punë, duke vrapuar pas fëmijëve ose familjes, mosha 40 vjeç është si një thirrje alarmi. Krejt papritur gjithçka duket si e brishtë dhe e keni më të vështirë që të rimerrni veten. Në fakt, mund të humbisni më shumë se 5% të masës muskulore nëse jeni jo-aktiv dhe shtoni në peshë nëse nuk ndryshoni stilin e jetesës. Rënia e flokëve gjithashtu është e zakonshme. Shkaku? Rënia e niveleve të estrogjenit gjatë kësaj dekade duke qenë se shumë gra kalojnë në fazën e perimenopauzës, faza para menopauzës kur trupi përgatitet për fundin e ciklit menstrual.

Çfarë duhet të merrni:
Vitaminë D: E njohur si vitamina që rrit humorin (e marrim kryesisht nga ekspozimi në diell), vitamina D ka gjithashtu një ndikim të rëndësishëm tek kockat. Studimet e kanë lidhur këtë vitaminë me muskuj dhe kocka më të forta, prandaj është shumë e rëndësishme në periudhën kur masa muskulore e trupit fillon të bjerë.

Omega 3 dhe Omega 6: Nëse keni shqetësime të tilla si hollimi i flokëve, duhet të merrni në konsideratë përdorimin e suplementeve të këtyre acideve yndyrore.

Të 50-tat
Pjesa më e madhe e grave kalojnë në menopauzë në fillim të 50-ave dhe përjetojnë afshe të nxehta, djersitje gjatë natës, pagjumësi, lodhje dhe acarim. Ekspertët rekomandojnë aktivitetin fizik, vitaminat dhe suplementet bimore për të lehtësuar efektet anësore të menopauzës.

Çfarë duhet të merrni
Multivitaminat dhe vitamina E: Një studim i vitit 2017 i kryer tek 60 gra në moshën e menopauzës zbuloi se multivitaminat mund të lehtësojnë efektet anësore. Një tjetër studim ka zbuluar se vitamina E është një trajtim efikas për afshet e nxehta. Pas një periudhe 4-javore, pjesëmarrëset që morën këtë suplement raportuan më pak raste të afsheve të nxehta.

Vitamina D: Rënia e niveleve të estrogjenit gjatë kësaj dekade çon gjithashtu në uljen e niveleve të kalciumit, duke rritur kështu rrezikun për osteoporozë. Studime të shumta kanë treguar se vitamina D mund të ulë rrezikun për zhvillimin e osteoporozës.

Gjatë të 60-ave
Sapo të kaloni në të 60-tat, pjesa më e madhe e ndryshimeve hormonale kanë përfunduara. Kjo është edhe dekada kur mund të filloni të vëreni ndryshime në sistemin digjestiv – nivelet e acidit në stomak fillojnë të shterojnë, keni acarim të zorëve dhe mund të zhvilloni intolerancë ndaj laktozës.

Çfarë duhet të merrni:

Vitamina B12: Shkencëtarët kanë zbuluar një lidhje mes vitaminës B12 dhe përmirësimit të bakterit të zorrës, ku sugjerojnë se kjo vitaminë mund të balancojë traktin digjestiv dhe ndihmon gjithashtu në tretjen e karbohidrateve dhe proteinave.

Vitaminat D dhe K: Nëse zhvilloni intolerancë ndaj laktozës ose ndjeshmëri, sigurohuni të përfshini në dietë vitaminë D për të përballuar humbjen e kalciumit, si dhe të rrisni dozën e vitaminës K, që ndihmon në absorbimin e kalciumit. Vitaminat K1 dhe K2 funksionojnë së bashku për të absorbuar dhe përhapur kalciumin.

70+
Shëndeti mendor është i rëndësishëm në çdo moshë, por teksa hyjmë në të 70-tat, rreziku për zhvillim të demencës dhe sëmundjes së alcajmerit fillon të rritet.

Çfarë duhet të merrni:

Vitamina B12: Përveç marrjes së çfarëdolloj suplementi që mjeku ju rekomandon në çdo moshë, vitamina B12 duhet patjetër të jetë pjesë e listës. Mungesa në këtë vitaminë është lidhur me problemet me shëndetin mendor, dhe shkencëtarët kanë zbuluar se marrja e suplementeve të vitaminës B12 bashkë me acid folik mund të ngadalësojë përkeqësimin e demencës dhe çrregullimeve të tjera mendore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb