TIRANE-Përmes një konference për mediat, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj tha se audio përgjimi i publikuar nga opozita për vëllain e tij Agron Xhafaj që shfaqet me një bashkëpunëtor i cili bisedon për trafikun e drogës në Itali, është mashtrim dhe Prokuroria duhet të nisë hetimet për përgjegjësit që e kanë servirur.

“Audio përgjimi i servirur me pompozitet publikut është një sajesë (MASHTRIM) e plotë. Nga fillimi deri fund. Është një manipulim dhe i bërë keq, madje. Nëse opozita nuk e ka bërë vetë këtë, dhe sinqerisht nuk dua ta besoj se është që është ajo nxitësja dhe realizuesja e këtij akti skandaloz, ajo ka rënë viktimë e të tjerëve. Edhe pse edhe në këtë rast tregoi, se sa ligësi prodhon një pjesë e kësaj opozite dhe se sa etur për pushtet me çdo kusht dhe me çdo çmim ajo është.


E për fat të keq duhet bëre një pyetje normale: Kur këta në opozitë bëjnë këtë gjë, çfarë do ju bënin njerëzve të thjeshtë e kundërshtarëve të tyre politikë sikur të ishin në pushtet dhe të përdornin instrumentet e shtetit !!! Ruana zot nga kjo racë e papërgjegjshme!

Kjo lloj qasje e kësaj opozite kundrejt pushtetit, e bëri atë të bjeri preh e interesave, ose të intrigantëve e shpifësve ordinerë, ose të grupeve kriminale. Gjithsesi, kushdo i përfshirë në këtë skandal të madh, do të marri përgjigjen e merituar. Veprimi është tipik mafioz. Fabrikimi i një fakti kriminal të paqenë për Ministrin e Brendshëm dhe familjarë të tij, përbën një shantazh kundër institucioneve publike të sigurisë. Ndaj, do t’i kërkoj sot publikisht prokurorisë veprime të shpejta dhe energjike për gjetjen të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë aferë kriminale dhe dënimin në mënyrën më të merituar. Unë nuk e kam patur zakon asnjëherë që të flas kuturu. Por, është e qartë që e gjitha çfarë ka ndodhur këto 3-4 ditët e fundit, ka një orkestrim me një qëllim të caktuar”- tha Xhafaj.

(d.d/BalkanWeb)

Etiketa: