TIRANE- Në studion e “BalkanWeb” përballë gazetarit Erjon Skëndaj dy kryesindikalistët Kol Nikolla dhe Fiqiri Xibri kanë zbuluar një pjesë të skenarit të protestës së paralajmëruar për ditën e mërkurë në orën 10:00 para Kryeministrisë.

Fiqiri Xibri la të hapur çdo skenar të grevës që nga përlasjet fizike, mosbindja civile e deri tek greva e urisë me çadra në bulevard.

Për herë të parë në dy dekadat e fundit sindikalistët u bënë bashkë e i lanë qeverisë 7 ditë kohë për ta miratuar statusin.

“Tre do të jenë, unë, Fiqiriu dhe Gëzimi. Të tjerët pastaj kush do të vijë pas. Kush ka interes do të vijë”,- tha Nikolla.

“Unë jam krenar të marrë të gjitha përgjegjësitë e protestës. Unë do ta bëj timen, s’më intereson fare nëse më japim leje apo jo”,- u shpreh Xibri.

Mund të shkohet në grevë urie apo me çadra?
Fiqiri Xibri: Edhe kjo është propozuar. Është propozuar që të merren plastmase me vete dhe bukë po ashtu. Njerëzit do të vinë nga ana e anës, nga Korça, nga Erseka, Tropoja. Ata kur vinë e kanë ndarë mendjen ‘unë sot do fitojë’. Unë jam më i irrituar se ata, ndoshta mund të jem dhe iniciatori për ashpërsimin, ndoshta dhe degradimin e situatës.

Ju jeni edhe me agjërim….Muaj i Ramazanit është për paqe, ju thoni ta kërkojmë të drejtën me dhunë…

Fiqiri Xibri: Kjo nuk ka të bëjë me atë….Është besimi dhe zbatimi i këtyre normave kanë kriteret e tyre. Jemi të urdhëruar që në muajin e Ramazanit të priremi nga durimi dhe paqja. Por ka qëlluar që mbushja e kupës për së dyti, pas asaj të 21 shkurtit ishte protesta e parë, të qëllojë në këtë kohë. Por kjo ndoshta do bëjë që qeveria të reflektojë që ne të jemi më pak të ashpër. Detyra ime kryesore, është përgjegjësia e menaxhimit të situatës. Është detyrë e qeverisë që të mendoj, jo e jona.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb