Sezoni i Premier Ligës nuk ka bërë ende gjysmën e rrugëtimit të tij, por kompania e basteve “Paddy Power” ka vendosur që tani t’i shpërblejë ata, që kanë vendosur bast se Mançester Siti do të fitojë titullin kampion. Forma fantastike që ka treguar skuadra e Pep Guardiolës këtë sezon në kampionat, e cila kryeson me 8 pikë, e shkëputur nga vendi i dytë pas 15 javësh, i ka bindur drejtuesit e kompanisë britanike se “qytetarët” do të jenë kampionët e këtij sezoni, pavarësisht se këtë të diel do të luhet ndeshja më e rëndësishme e sezonit, ajo përballë rivalëve të Junajtid që mbajnë edhe vendin e dytë në klasifikim.

Nëse skuadra e Zhoze Murinjos do t’i mundë rivalët në “Old Trafford”, diferenca e pikëve do të ngushtohet në 5, por “Paddy Power” është e sigurt se të kaltrit do të ngrenë trofeun në maj dhe kanë nisur të shpërblejnë 5 muaj përpara fundit të sezonit, të gjithë ata që kanë parashikuar Sitin kampion.
“Ne kemi ngritur duart përpjetë dhe jemi të bindur se asnjë skuadër tjetër nuk mund ta mbyllë këtë diferencë me djemtë e Pepit. Po të injorosh ngjyrat e fanellave, karriget bosh dhe theksin e Mançesterit, të jesh në ‘Etihad’, duket sikur po shikon Barcelonën e Guardiolës.

Kështu që ne kemi nisur të paguajmë tifozët që kanë parashikuar Sitin kampion këtë sezon”, tha një zëdhënës i kompanisë britanike të basteve. “Disa nga këto vendimet tona të nxituara mund të kenë sjellë ndonjë surprizë, prandaj Zhoze Murinjo mund të flejë i qetë dhe mos t’i humbasë shpresat. Ne kemi paguar mbi 1 milion dollarë për Hilari Klintonin presidente dhe të gjithë e patë çfarë ndodhi më pas.” Edhe ambasadori i “Paddy Power”, ish-lojtari i Junajtid, Pol Ins, është dakord:

“Është sa e guximshme, aq edhe idiote, që kompania po paguan paratë, sepse nuk ka kaluar ende gjysma e sezonit. Është një çmenduri të përjashtosh Junajtid, madje edhe Çelsin. Është diçka e bukur për ata që mbështesin Sitin, por gjithçka mund të ndryshojë dhe ‘Paddy Power’ mund të përfundojë me një faturë shumë të shtrenjtë për të paguar./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: