Dje Mançester Siti u rikthye te fitorja në Premier Ligë, duke mbetur në ndjekje të Liverpulit, që kryeson me pikë të plota. Këtë e bëri duke u besuar dy “Mister 400” që ka në ekip, nga njëra anë David Silva, nga ana tjetër Sergio Aguerro. Protagonistë prej vitesh në gjysmën e kaltër të Mançesterit, spanjolli dhe argjentinasi janë shndërruar në ikona të klubit, por vijojnë të shkruajnë faqe të rëndësishme të historisë, ndonëse njëri është 33-vjeç dhe tjetri 31.

Po flisnim për dy “Mister 400” dhe ka një motiv. Silva dje festoi ndeshjen e 400-të me fanellën e Mançester Sitit, të cilën e vesh për edicionin e nëntë me radhë, dhe festën e bëri në mënyrën e tij, duke dhënë dy asiste për Sergio Agueron.

Që nga ana e tij shënoi dopietën personale dhe golin numër 400 në karrierë mes klubeve dhe kombëtares. Një shifër që rrëfen mësë miri se është një goleador vdekjeprurës, pavarësisht moshës. Kjo bën që edhe ndonjë zënkë me Guardiolën t’i lejohet, sepse Pep është vërtet nga ata që preferon talentet e reja në futboll, por nuk heq dorë kurrë nga eksperienca.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb