NGA JETON SELIMI

Festë në Mançester, gjysma blu qytetit, atje ku Siti mposhti kampionët në fuqi të Çelsit në “Etihad Stadium”. Një takim i kontrolluar dhe i dominuar nga nënkampionët, që me një rezultat të shkëlqyer, 3-0, siguron fitoren e dytë në dy javë, duke udhëhequr edhe tabelën e klasifikimit me 6 pikë të plota. Dhe Siti nxjerr menjëherë dhëmbët! I frymëzuar nga Kun Aguerro, ekipi i Pelegrinit sheh në drejtim të kuadratit të mbrojtur nga Begoviç, pasi Tibo Kurtua është i pezulluar, ndërsa argjentinasi e kthen në një duel personal me gardianin e kampioneve.

Janë tri momentet e shkëlqyera që Aguerro ka në këmbët e tij për të çelur rezultatin, por janë tri pritje të mrekullueshme të Begoviçit, që u mohojnë epërsinë qytetarëve. Sërish Aguerro sheh në këmbët e tij një rast të shkëlqyer për të shënuar, por gabon tap-inin, duke e nxjerrë topin në rivënie fundore. Megjithatë, në minutën e 31-të argjentinasi do të ndreqë shënjestrën, duke shënuar golin e parë.

Në pjesën e dytë, Çelsi përpiqet që të ndreqë diçka në lojën e tij, por Murinjo nuk do të qëllojë në shënjestër as me ndërrimet, ndërsa kapiteni i Sitit, Vinsent Kompani do të dyfishojë me kokë rezultatin, përpara se Fernandinjo t’u japë goditjen përfundimtare kampionëve me një të majtë të saktë në diagonale. Përfundimisht 3-0, një fitore mbresëlënëse për Pelegrinin dhe një humbje dërrmuese për Murinjon. Pas humbjes zhgënjyese në debutim, kundër Uest Hemit, Arsenali ka reaguar mjaft mirë, duke fituar derbin tjetër të Londrës, atë kundër Kristal Palasit, me rezultatin 2-1.

Sulmuesi francez Olivier Zhirud shënoi golin e parë të ndeshjes në minutën e 16-të, duke i dhënë një start të shkëlqyer skuadrës së drejtuar nga Arsen Venger, por Palas tregoi se jo rastësisht fitoi javën e shkuar në Noruiç dhe barazoi në minutën e 28-të me një gjuajtje nga distanca nga Xhoel Uord, me portierin Petër Çeh që mund të bënte diçka më shumë për të evituar golin. Më pas, ndeshja u bë nervoze dhe Palas protestoi ashpër për vendimet e gjyqtarit të ndeshjes, që në disa raste fali mbrojtësin mik Kokelin, autor i disa faulleve të rënda.

Edhe në pjesën e dytë Palas i shkoi shumë pranë golit, por më pas, në minutën e 55-të, ndëshkoi vetveten, sepse mbrojtësi Delanej devijoi drejt portës së tij një gjuajtje me kokë të sulmuesit Aleksis Sançes, i cili luajti ndeshjen e parë sezonale. Më pas, Arsenali kontrolloi mjaft mirë ndeshjen dhe deri në fund trajneri Venger e bëri edhe më sulmuese skuadrën, duke parë problemet mbrojtëse, ndërkohë që Palas nuk arriti të krijonte më raste të pastra, as në sulmet finale.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: