Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 105.636 raste nga 541.762 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.187 raste të vdekjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 421 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 95.466 raste, kurse numri i rasteve aktive është 7.983.

Ndryshe, një pjesë nga 95 mijë vaksinat kundër COVID-19, të ndara nga Bashkimi Evropian për Kosovën, do të mbërrijnë në vend në mes javë, ka bërë të ditur Komisionieri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Ai ka njoftuar se do të qëndrojë në Kosovë më 5 maj, të mërkurën, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, në një kohë kur rajonit do t’i dhurohen vaksinat kundër coronavirusit, si pjesë e ndihmës nga Bashkimi Evropian.

Komisioni Evropian dhe Austria patën njoftuar më 20 prill se 651 mijë doza të vaksinës “BioNTech/Pfizer” do të dorëzohen në rajon çdo javë nga fillimi i muajit maj e deri në muajin gusht.

Këto vaksina janë paraparë për të ndihmuar në shpejtimin e kampanjës së vaksinimit e për të siguruar që grupet në rrezik të marrin vaksinën. Vaksinat janë ndarë nga pakoja 70 milionë euroshe, e siguruar nga Bashkimi Evropian.

Austria ka lehtësuar shpërndarjen e vaksinave përmes marrëveshjeve me prodhuesin dhe çdo partner të Ballkanit. Shpërndarja do të bëhet në bazë të nevojës epidemiologjike. Për Kosovën janë caktuar 95 mijë doza.

Ndryshe, edhe kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku ditë më parë ka bërë të ditur se të mërkurën në vendin tonë do të arrijnë 5 mijë vaksina anti-COVID-19.

“Rreth 5000 vaksina arrijnë të mërkurën, e pastaj vijnë pandërprerë, deri në arritje të synimit tonë”, ka shkruar ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb