Instituti i Shëndetit Publik i Malit të Zi, deklaron, se “ne nuk e kontrollojmë dot më pandeminë”. Çdo 2 minuta në Mal të Zi infektohet një person, ndërsa çdo 150 minuta një person humb jetën.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Igor Galiq, në një konferencë shtypi (12.03) tha se situata epidemiologjike në Mal të Zi është shumë serioze dhe komplekse. “Ne nuk e kontrollojmë dot më epideminë, sepse numri i të prekurve me virus dhe atyre që humbasin jetën është vazhdimisht në rritje. Ai tha se çdo 2 minuta në Mal të Zi infektohet një person, ndërsa çdo 150 minuta një person humb jetën. Numri i pacientëve të prekur me koronavirus gjatë tërë ditëve të javës së shkuar është mbi 500, ndërsa ai i vdekjeve 64 “. Sipas Galiq rreth 13 përqind e popullsisë së Malit të Zi janë të prekur me koronavirus e kësaj i shtohet edhe transmetimi lokal, që po ashtu shënon rritje. “Rastet e regjistruara rishtas të infeksionit në lidhje me numrin e testuar është 28.7 përqind. Në mënyrë që të jemi në gjendje të themi se ne ee kontrollojmë epideminë, ky raport duhet të jetë pesë përqind. Kjo flet për masën, në të cilën ne nuk e kontrollojmë epideminë”, tha Galiq.

Mali i Zi nuk i mbyll kufijtë por kërkon ndihmë nga BE dhe NATO

Përkundër treguesve shqetësues për situatën me epideminë, autoritetet shëndetësore dhe qeveria e Malit të Zi po i mbajnë kufijtë e hapur për katër vendet fqinje. “Arsyet janë kryesisht ekonomike,” deklaroi Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë Borko Bajiç, duke përmendur një numër më të vogël të të infektuarve në ato vende si arsye shtesë dhe faktin që ata i mbajnë kufijtë e tyre të hapur me Malin e Zi. Masat aktuale epidemiologjike lejojnë hyrjen në Mal të Zi nga Serbia, Kosova, Shqipëria dhe Bosnjë dhe Hercegovina pa një provë të testit PCR. Në të njëjtën kohë, banorët e 11 qyteteve në Malin e Zi janë e kanë të ndaluar të largohen nga qytetet e tyre, duke lëvizur nga ora 9 në 5 të mëngjesit dhe trafiku midis qyteteve ndalohet gjatë fundjavave. Mali i Zi renditet i pari në rajon me numrin e të sëmurëve aktivë (1.448) për 100 mijë banorë.

Që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 82.029 raste të infeksionit dhe 1.113 persona kanë humbur jetën. Të ndodhur në një situatë të tillë epidemiologjike Mali i Zi ka kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s për të përballuar gjendjen e krijuar nga Covid-19. Shefi i Diplomacisë malazeze Gjorgje Radulloviq i kërkoi Brukselit që të dërgojnë mjekë e infermierë për t’u ardhur në ndihmë punonjësve mjekësorë të cilët ka më se 1 vit që përballen me të infektuarit me Covid-19. Delegacioni i Bashkimi Evropian (BE) në Podgoricë ka njoftuar se i ka akorduar Malit të Zi një ndihmë prej 200 mijë eurosh për të siguruar pajisje mjekësore në luftë kundër koronavirusit. Bashkimi Evropian nga fillimi i pandemisë i ka akorduar Malit të Zi një paketë ndihmash prej 53 milionë eurosh mjete të pa kthyeshme, dhe 60 milionë euro si ndihmë mikro financiare.

Vaksinimi po ecën ngadalë

Megjithëse Mali i Zi kryeson pothuajse në të gjithë parametrat negativë epidemiologjikë, numri i personave të vaksinuar është 3.062,ose 0.5 përqind e popullsisë. Mesatarisht në ditë vaksinohen 170 persona. Epidemiologu i Institutit të Shëndetit Publik Milko Joksimoviç sheh ritmin e ngadaltë të vaksinimit në vend si arsye të rritjes së numrit të infeksioneve dhe të të shtruarve në spital. Kjo ka të bëjë edhe me numrin e vogël të vaksinave që janë në dispozicion. “Ritmi u kushtëzua fillimisht nga sigurimi i vaksinave dhe pastaj nga procedurat burokratike të mbërritjes në vend”, ka thënë epidemiologu Joksimoviq. Në Mal të Zi fillimisht vaksina i është ofruar personelit mjekësor, ndërsa në ditët e ardhshme do të vazhdojë vaksinimi i personave mbi 80 vjeç, që cilësohen si grupet më të rrezikuara nga COVID-19./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb