TIRANË

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka bërë një pasqyrë të situatës pas tërmetit të fortë që goditi sot vendin. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë që u mblodh pak minuta para mesnatës për rreth 60 minuta, Xhaçka deklaroi se situata mund të quhet e tejkaluar duke iu bërë thirrje qytetarëve të mos veprojnë në panik.

“E sotmja ka qenë një ditë e ngarkuar me intensitet pune për të gjitha strukturat.
Ka qenë një ditë me frikë për gjithë qytetarët dhe me ankth edhe për mua dhe kolegët. Tani që kemi një pasqyrë ndiej një lehtësim sepse dëmet materiale janë më të paktat e mundshme.
Kemi qenë me shumë fat që dëmet janë kaq të kufizuara. Situata e tejkaluar. Lajmi i mirë është që nuk ka pasur humbje jete. Ka pasur 105 qytetarë të lënduar, në pjesën dërrmuese këto lëndime kanë ardhur si pasojë e situatës së frikës.

Thirrje të gjithë qytetarëve të mos veprojnë në panik. Mund të themi që e keqja është tejkaluar. Dëmet janë më modeste nga ç’mund të kishin qenë. Dëme ka pasur, qarqet më të prekura janë Tirana dhe Durrësi.
Në qarkun e Tiranës na rezulton se kemi një total me 293 banesa të dëmtuara, 20 pallate me krisje. Për Durrësin kemi 185 banesa me dëmtime, 5 pallate me krisje. Për Elbasanin kemi 24 banesa, 3 pallate, 1 kabinë elektrike, 1 urë e varur në Polis. Në Dibër rreth 17 banesa të dëmtuara, për Fierin 4 banesa të dëmtuara. Puset e naftës të padëmtuara dhe kjo ka evituar një katastrofë më të madhe. Për Lezhën kemi gjithsej 38 banesa dhe 2 pallate. Në Vlorë 1 banesë e dëmtuar”, deklaroi ministrja Xhaçka.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb