Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar, pas vendosjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviçit.

Disa qindra serbë u mblodhën sot (e hënë) para ndërtesave komunale në veri të Kosovës dhe kërkojnë tërheqjen e policisë së Kosovës dhe kryetarëve të sapozgjedhur shqiptarë.

Si rrjedhojë e kësaj, numër i shtuar i forcave të KFOR-it janë parë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Menjëherë pas kësaj, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ftoi në takim kryetarët e sapo zgjedhur në katër komunat veriore.

Duke shkuar në takim janë parë kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci dhe kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri. Ndërsa kryetarët e Vetëvendosjes mungojnë në takim me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier që po mbahet në Zyrën e BE-së në Prishtinë.

Erden Atiq kryetar i Mitrovicës së Veriut nga Lëvizja Vetëvendosje deklaron se së shpejti do të takohen me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, nga i cili tha se presin mbështetje.

“Do të takohemi së shpejti. Me shumë kënaqësi. Presim mbështetje dhe bashkëpunim”, u shpreh Erden Atiq.

Ndërsa, kryetari i Leposaviqit Lulzim Hetemi nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Nuk dihet arsyeja e mungesës së tyre në këtë takim, i cili po mbahet mes ambasadorit Hovenier, Kryetarit të Zubin Potokut Izmir Zeqiri dhe atij të Zveçanit Ilir Peci.

Një numër i ushtarëve të KFOR-it këtë mëngjes janë stacionuar nëpër pika të ndryshme në veri të vendit, përfshirë edhe objektet e Komunave veriore, pasi serbët lokalë qysh dje kishin paralajmëruar protesta.

Në takim do të jenë edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb