TIRANË

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta tha sot se situata ekonomike në vend është drejt përkeqësimi dhe se buxheti i ri dhe paketa fiskale i shërben më shumë kësaj gjendjeje.

Në një takim me Komitetin Kombëtar Drejtues të Rinisë, Meta kërkoi që të hiqet parashikimi i vendosjes së gjobave 10-fish, pasi është një masë represive ndaj biznesit të ndershëm, si dhe të anulohet rritja e akcizës për prodhuesit vendorë të industrisë së birrës dhe të verës.

“Situata ekonomike në vend drejt përkeqësimit dhe kësaj do i shërbejë dhe buxheti i ri dhe paketa fiskale që ka sjellë qeveria. Është e qartë se rritja ekonomike është ngadalësuar, PBB është në rënie. Treguesit e shitjeve janë në rënie, treguesit e konsumit janë në rënie, çmimet e konsumit janë në rritje. Kosto e prodhimit është në rritje, borxhi publik është në rritje, llogaritet në 119 mld euro. Normat e interesit bazë kanë shkuar 2.75% duke shtuar koston e huamarrjes për familjet, sipërmarrjet dhe vetë qeverinë. Në këtë situatë të gjitha përpjekjet e qeverisë për të reduktuar deficitin, janë në dëm të të gjithë qytetarëve, familjeve, bizneseve, sidomos të prodhimit vendas dhe janë vetëm në interes të klientëve të qeverisë, duke rënduar produktivitetin e borxhit dhe duke goditur prodhimin vendas.

Kërkojmë që të hiqet parashikimi i vendosjes së gjobave 10-fish, pasi është një masë represive ndaj biznesit të ndershëm, antikushtetuese dhe jo proporcionale, përkeqëson klimën e biznesit në vend. Të anulohet rritja e akcizës për prodhuesit vendorë të industrisë së birrës dhe të verës pasi efekti i saj në ulje të të ardhurave të parashikuara në 0.2 mld lekë, por mbi të gjitha rrezikon mijëra vende pune dhe rrezikon disa nga brandet më të njohura Made in Albania. Anulimi i taksës speciale për prodhuesit e energjisë elektrike pasi kjo jo vetëm do t’i kushtojë qeverisë, shtetit dhe taksapaguesit pasi ata do t’i fitojnë të gjitha gjyqet me qeverinë, por njëkohësisht kjo nuk nxit rritjen e investimeve në sektorin e energjisë elektrike pasi këta ia shesin 7 herë më lirë se sa banda që e importon”, deklaroi Meta.

Ai shtoi më tej se kemi të bëjmë me një qeveri të papërgjegjshme.

“Ju e dini sa është kosto e jetesës në Tiranë dhe çështje të tjera që cenojnë studentët dhe të rinjtë në formimin e tyre duke i goditur në mënyrë të rënduar nga ekonomia dhe pikëpamja sociale. Kemi të bëjmë me një qeveri të papërgjegjshme, një kryeministër që largimin e të rinjve nuk i shikon tek politika, por tek Britania dhe BE”, tha Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb