Ish-deputeti i PD, Klevis Balliu i ftuar në rubrikën ”Opinion” në News24 ka komentuar situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, me pandeminë e cila po agravohet dhe zgjedhjet të cilat janë vetëm 5 muaj larg.

Baliu thotë se PD e ka planin dhe po jep shembullin se si mund të dilet nga situata, por qeveria nuk e zbaton vetëm sepse nuk atë e thotë Lulzim Basha.

Sipas tij qeveria pandeminë e sheh si aleat për të dhunuar qytetarët dhe jo si kundërshtar.

”Këtë pandemi nuk e ka sjellë kjo qeveri apo ndonjë tjetër. Flasim për menaxhim. Mjafton të shohësh që një tjetër person sot tenton vetëvrasjen nga Infektivi, dhe Ministrja s’merr asnjë përgjegjësi. Thoshte që gjithçka është nën kontroll. Vetëm për moral duhet të jepte dorëheqjen. Kjo qeveri është e paaftë për të menaxhuar, i mungojnë vlerat intelektuale mjekësore, mungojnë ekspertë të vërtetë të mjekësisë, dhe e dyta sepse e ka trajtuar si një çështje politike dhe në asnjë moment nuk është marrë për të ndihmuar qytetarët. Për çdo akuzë duhen prova. Jemi rasti unikal që kemi një rritje 38 herë në ditë. Sot me 527 raste bllokohemi deri në orën 22:00- 06:00, se ku janë këto dalje e lëvizje voluminoze vetëm Rama i di.
Askund tjetër s’ka ndodhur kjo rritje. Vijnë vetëm prej paaftësisë. Shihni eskalimin e situatës në Shqipëri. Në kulmin e këtij tmerri, të kësaj varfërie që ka pllakosur vendin. Qeveria s’merret të gjejë një mënyrë për t’u përballur me pandeminë, merret me kompetencave të Presidentit. Këta kanë hall pushtetin e Ramës. Nuk mendoj se ka tjetër veprimtari të qeverisë përveç kujdesit për jetën e qytetarëve.
Mjekët që sot po përballen me këtë në Shqipëri meritojnë 1 mijë herë duartrokitje më shumë se në gjithë botën. Kanë 0 mbështetje nga qeveria. Komiteti i Ekspertëve është kthyer në zëdhënës të të dëshirave të Ramës. Kryetarja e tij është anëtare e këshillit bashkiak të Veliajt. Merren vetëm me interesat e Ramës. Ky s’është Komitet.

Nga kjo situatë dilet nëse kemi një qeveri të përgjegjshme, një plan. PD ka një plan, ka një program, po jep një shembull si mund të bëhet. Të gjejë një shembull. Qeveria s’ka dëshirë. Këta pandeminë nuk e shohin as si kundërshtar, por e shohin si aleat për të dhunuar qytetarët. Problem për një shëtitje nga liqeni kurse nuk është problem që të shkojnë policia në Baldushk si sot.
Ne kemi dhënë programin tonë, nëse kanë tjetër ata le ta shpallin. Politika e tyre është meqë e thotë Basha, mos bëhet. Duhet të marrin shembull nga PD. Ne kemi një qeveri që s’ka interesin e qytetarëve, por vetëm pushtetit të saj. Po e vërtetojmë nga këto kurba.”- tha Balliu.

Ish-deputeti është ende në procese gjyqësore për protestat tek Unaza e Re, teksa thotë se është absurde pasi ka çështje të hapur për çdo ditë që ka rezistuar me banorët.
Ai thotë se këtë po e bën të gjithën Edi Rama, pasi projekti i Unazës së Re nuk ak qëllim rrugën e re por pallatet në anë të saj.
”Gjyqe politike pa asnjë bazë ligjore. Ka ngritur një mekanizëm politik. Protesta është një e drejtë e qytetarëve. U bë për 418 ditë radhazi. Kemi një qeveri të tërë, një gjykatë të tërë që merret vetëm me banorët e Unazës. Si një prokurori mund të ndajë çështjet veçantë për të gjithë qytetarët. Unë kam një gjyq për çdo çështje të veçantë.
Nëse kjo është krim, atëhere është krim vazhdues. Patjetër. Kam një gjyq për çdo ditë. Për të hënën thotë duhet pushuar, të martën ke bërë krim, të mërkurën është pushuar, të enjten ke bërë krim.
Banorët e Unazës nuk i çon ligji aty, i çon Rama në Gjykatë. Bënë një rezistencë heroike, e patë se sa mbështetje patën.
Atje vazhdojnë prishjet, e reja është se u vërtetua akuza e PD e banorët se nuk kishte të bënte projekti me rrugët për qytetarët por vetëm me pallatet, këtë e konfirmoi vetë Veliaj. Kur tha nga njësia administrative nr.14, se buzë rrugës do bëhen pallate. Të shkatërrojmë banesat për pallate. Për ta mbyllur më lejoni t’ju them që s’ka asnjë gjyq politik t’i bëjë presion opozitës për të vijuar denoncimin e aferave. E dyta, më e rëndësishme, kjo çështje s’do mbyllet me këto gjyqe farsë, por ata që vodhën 40 milionë euro, dhunuan banorët, shkatërruan banesat, do mbajnë përgjegjësi dhe kjo kohë është më e afërt se kurrë. ”- shtoi Balliu.

Në skenën politike është rikthyer raportin i DickMarty, fill pas konfirmimit të aktakuzave nga Haga. Rama ka akuzuar Bashën se si ish-hetues i UçK mund të ketë marrë pjesë në njollosjen e sa, por Balliu kujton se kryetari i PD ka qenë i vetmi shqiptar prezent në prangosjen e Sllobadan Millosheviç. Gjithsesi Balliu Gjykatës Speciale të Hagës e cilëson raciste pasi është një etnike.
”Basha ka qenë i vetmi shqiptar që ka qenë prezent, dhe ka qenë në prangosjen e Millosheviçit. E quaj patjetër diçka të rëndë për interesat kombëtare. është sulm ndaj Kosovës, së drejtës për të qenë e pavarur.
Kjo është një Gjykatë, që për gabime të veta elita politike e Kosovës e ka votuar. Nuk e gjen asnjë flamur të saj në cep.
Gabim i madh, pasi s’mund të ekzistojë një Gjykatë etnike, është raciste. Fakti është ky, që kjo është një gjykatë paradoksale, ka shumë problematika, por kam besimin se nga Presidenti tek të tjerët do të marrin pafajësinë.
Kjo shërben si shembull për politikën shqiptare. Ka pasur politikanë në Shqipëri e Kosovë që kanë shitur interesin. Në ditën kur del kupola e UçK-së në Hagë, Rama telefonon Vuçciçin. I tregon botës se nuk janë akuza të Beogradit.
Akuza për krime fetare ndaj UçK-së, kanë qenë të Vuçiçit, kryeprokurori i Beogradit e ka pranuar që ka furnizuar raportin e Dick Marty.”- sqaroi ai.

I pyetur për zgjedhjet dhe listat, Balliu duket se s’ka pasur qejfmbetje për skualifikimin nga anëtarësia e PD në Pogradec. Ish-deputeti ka theksuar se nuk është momenti për gjëra të tilla, por për bashkim me PD dhe opozitën për të rrëzuar Ramën.
Ai shprehet i sigurt se më 25 prill PS shpartallohet në çdo lagje e qytet dhe del forcë e tretë.

”Do të merren vesh të gjitha. PD është shumë transparente. Duhet të bashkohemi me PD, me Opozitën e Bashkuar për të larguar Ramën si fatkeqësia më e madhe kombëtare në Shqipëri. Më 25 prill PS do shpartallohet dhe do jetë parti e tretë.
S’është koha për qejfmbetje, por për bashkim kombëtar për të mundur një njeri që po na shkatërron ëndrrën europiane. Ky është shkaktar që nuk po na hapen negociatat, dhe madje rrezikojmë. Do mbahet mend për vjedhje spektakolare kundër Kushtetutën, ligjit .”- tha Balliu.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb