Nëse nuk do të ishte në mes kontrata që skadon në vitin 2022, Adolfo Sormani dhe Partizani do t’i kishin thënë lamtumirë njëri-tjetrit, një lamtumirë e hidhur dhe e ashpër diktuar nga dezertimi i italianit përpara derbit ndaj Tiranës.

Situata e koronavirusit te kryeqytetasit ka trembur italianin, që të enjten nuk kishte pranuar të stërviste ekipin pa dalë përgjigjet e testeve, ndërsa dje nuk ka ardhur me ekipin në stadium.

Habia ka qenë e madhe kur në protokollin e ndeshjes figuronte emri i Renaldo Kalarit, zëvendesi i Sormanit. Fillimisht u mendua si një gabim, por e vërteta ishte ndryshe.

Italiani kishte braktisur ekipin në ditën më të vështirë të një sezoni krejtësisht për t’u harruar. Partizani vinte përballë Tiranës pa 7 lojtarë, pa stërvitjen e fundit, pa gjumin e një nate të mbushur nga ankthi i përgjigjeve dhe pa trajner.

Pavarësisht problemeve, përgjigja e Partizanit në fushën e lojës ishte e jashtëzakonshme a thua se ishin të kuqtë ata që luftonin për titullin.

Pas ndeshjes drejtori Olsi Rama u përpoq të shfaqej diplomat me përgjigjet e tij në pyetjet e bëra për Sormanin, por e vërteta është ndryshe.

Adolfo Sormani, që e rrezikoi shkarkimin disa herë ne këtë gjysmë sezoni, nuk ka më vend te Partizani. Të gjithë në klub janë të skandalizuar me sjelljen e tij ndërsa lojtarat nuk duan më në krye një kapiten që braktis anijen kur stuhia në det egërsohet.

Mbetet për t’u zgjidhur ngërçi i kontratës por drejtuesit janë të vendosur: Dodo Sormani nuk mund të jetë më trajneri i Partizanit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb