Në Komisionin e Shëndetësisë në Kuvend, Ministrja Manastirliu deklaroi se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë një seri masash për t’i paraprirë viruseve stinore.

“Kemi kryer në kohë vaksinim për rreth 80.000 qytetarë, kryesisht të sëmurë kronikë, gratë shtatzëna, fëmijët 2-5 vjeç, personelin shëndetësor”, tha Manastirliu.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Socile i ka paraprirë situatës në të cilën jemi, ku fluksi është shumë i lartë, duke hapur 4 qendra shëndetësore 24 orëshe në Tiranë, në Kombinat, Laprakë, në zonën e ish-Bllokut dhe zonën e Oxhakut, për të shfryrë fluksin në Urgjencën Pediatrike të QSUT në mënyrë që qytetarët të mos presin në rradhë të gjata, po ta marrin shërbimin afër vendbanimit, në kohë dhe me cilësi.

“Shërbimi ofrohet 24/7 në katër qendra shëndetësore në Tiranë dhe janë 218 mjekë dhe infermierë që ofrojnë shërbim pa ndërprerje në katër pika të ndryshme të Tiranës, ndërsa në pediatrinë e Tiranës kemi dyfishuar personelin mjekësor në fundjavë”, tha Manastirliu.
Nga të dhënat e raportimit të Institutit të Shëndetit Publik, sipas survejancës së infeksioneve akute respiratore të sipërme dhe të poshtme të sistemit ALERT, jemi në pikun e viruseve stinore, ku në javën e 5 të vitit vërehet se prirja e infeksioneve respiratore paraqet me 23% rritje, pra intensitet shumë të lartë dhe me përhapje në të gjithë vendin në krahasim me javën paraardhëse.

Manastirliu ka raportuar në Kuvend dhe për situatën e koronavirusit të ri, duke theksuar se në Shqipëri nuk kemi asnjë rast të prekur, por gjithsesi janë marrë masat e nevojshme, bazuar në rekomandimet dhe protokollet e shëndetit të OBSH-së, duke shtuar se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka përfshirë dhe spitalet jo-publike për pritjen dhe transportin sipas standardeve, të rasteve të mundshme me koronavirusin e ri.
“Vijojmë trajnimet kaskadë për mjekët dhe infermierët dhe kemi marrë masat për ndjekjen e çdo rasti potencial edhe në spitalet jo-publike, për transportimin drejt QSUT”, tha Manastirliu.

Ministrja deklaroi se janë marrë masa për stokun e mjeteve personale në pikat kufitare dhe në spitale si dhe është gati plani për çdo situatë, sipas shkallës së rrezikshmërisë.
“Kemi gati një strukturë pritëse për karantinën, me personelin e trajnuar, nëse do të jetë e nevojshme”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se është forcuar survejanca aktive për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri. Janë rishikuar planet e parapërgatitjes në situatë shëndetësore jo të zakonshme, e gjithë kjo mbështetur në Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit të OBSH. Janë trajnuar ekipet e urgjencës kombëtare, epidemiologët në të gjithë vendin për forcimin e survejancës ALERT, menaxhimin e transportit të një rasti suspect me koronavirus të ri si dhe është saktësuar procedura se si veprohet me ndjekjen e kontakteve. Është rritur survejanca, masat higjieno-sanitare si dhe po zbatohen protokollet ndërkombëtare për kontrollin e pasagjerëve të dyshuar në çdo pikë kufitare të të gjitha niveleve tokësore, portuale dhe ajrore, ku ka njësi shëndetësore 24/7. Çdo pikë ka skedën e udhëtarit, jo vetëm për kontrollin e parë në pikën kufitare por edhe për gjurmimin e rastit. Manastirliu konfirmoi se në Shqipëri janë testuar 5 raste për koronavirusin, të cilat kanë rezultuar negative. Pra, nuk ka asnjë rast me koronavirusin e ri.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb