TIRANE- Nënkryetari i PD, Edi Paloka vlerëson se vrasja në Bllok, tregon se për c ‘nivel sigurie mund të flasim në këtë vend. I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ Paloka tha se ngjarja e regjistruar mbrëmjen e së enjtes në Bllok është e rëndë.

“Një numër jo i vogël personash me precedentë penalë, dhe disa prej tyre në kërkim prej policisë, gjenden në mes të Tiranës, në mes të bllokut të armatosur dhe krijojnë atë ngjarje që u krijua. 50 metra më larg Xhafaj, do mblidhte ministrat e Ballkanit, t’ju fliste për sigurinë. Simbolika sikur është bërë me dorë. Sepse kjo është sot Shqipëria. Një vend ku vetëm për sigurinë nuk mund të flitet” u shpreh Paloka.

Në lidhje me kërkesën e deputetit demokrat Xhemal Gjuknshi, i cili apeloi kreun e shtetit të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Paloka tha se këtu nuk është më çështje e këshillit të sigurisë, këtu çdo gjë sipas tij lidhet me largimin e qeverisë, e cila i jep pushtet krimit. “Është kërkuar edhe herë tjetër, po sa do të funksionojë nuk e di. Mund të hedhë disa hapa. Këtu bëhet fjalë për një qeveri që mbështet krimin”, tha ai.

Duke u ndalur në rastin “Xhisiela” Paloka tha se ajo çka e bëri historinë më të bujshme është denoncimi i një oficeri policie për rastin. “U ngrit gjithë shteti, duke nisur nga Rama, u ngrit për të mbrojtur një kriminel ordiner. Pse? Sepse ishte djali i deputetit. Përdhunuesi i “Rilindjes” në gjykatë nuk kërkoi as falje, po iu drejtua kreu të opozitës me : ‘Do e shohësh në zgjedhje’. Dhe kjo është simbolika më e qartë e asaj që ndodh në Shqipëri. Krimi është fuqizuar se e mbështet Edi Rama. Dhe duke qenë mbështetje e Ramës për vota, ka të drejtë të bëjë gjithçka”, -u shpreh Paloka.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb