TIRANË

Për ekspertin e çështjeve të sigurisë Redion Qirjazi lajmi për strehimin e qindra afganëve në Shqipëri ishte i papritur. Gjithsesi ai thotë se e mbështet këtë vendim. Në një lidhje ‘Skype’ me News24, Qirjazi i cili ka qenë vite më parë në Afganistan me mision, tha se afganët, punonjësit dhe përkthyesit i kanë ndihmuar së tepërmi me informacione nga terreni apo dhe në negociata.

“Sigurisht lajmi ishte i papritur. Evente që nuk parashikohen dhe mund të kenë pasoja të mëdha. Për rastin e Shqipërisë ishte e paparashikuar. Është një moment krize. Jam pro vendimit që qeveria mori vendimin për t’i marrë. Kjo tregon që jemi të gatshëm të ndihmojmë aleatët, të ndihmojmë ata që na kanë ndihmuar ne, mua personalisht. Kanë qenë ata vetë afganët të cilët kanë pasur ëndrrën për një të ardhme demokratike dhe të ndryshimit të vendit. Apriori mendoj se veprimi ynë është i duhuri. Çdo gjë që vjen në një moment të papritur dhe është diçka për të cilën duhet të përgjigjesh në orën 11-të mund të lërë pak të papërgatitur.

Deri tani ne e dimë qoftë dhe nga raporte të mëhershme të BE që aftësitë tona për të mirëpritur kontigjentët e emigrantëve janë të kufizuara. Por mendoj që rasti në fjalë është i veçantë dhe po merren masa me mbështetjen më të madhe që mund të kemi, duke konsideruar kushtet në të cilat ndodhi ky zhvillim”, u shpreh Qirjazi.

Duke folur për kohën që ka shërbyer në Afganistan, ai tha se një pjesë e punës kishte të bënte pikërisht me negocimet.

“Kam qenë nëntoger, shumë i ri megjithatë më ishte ngarkuar një detyrë e rëndësishme. Një pjesë e punës sime ishte të bëja negociata me homologët tanë të ushtrisë afgane. Ishte një situatë konflikti, kur u vu re një rritje e përpjekjeve të talebanëve për të marrë kontrollin. Afganët kanë qenë ndihmues në shumë situata në terren”, tha ai.

Sa i përket përshkallëzimit të situatës, ai tha se edhe nëse do të ndodhte disa vite më pas do të ishte e njëjta gjë. Ai citoi një shprehje të përdorur nga talebanët ‘ju keni orën, ne kemi kohën’, që do të thoshte se ata do të ishin aty dhe kur trupat e huaja të largoheshin.

“Mendoj se kjo gjë është publike dhe dihet botërisht. Situata u përshkallëzua pas tërheqjes së forcave amerikane. Ishte hallka e fundit e sigurisë ku po mbështeteshin aleatët tanë.

Talebanët ishin të shtrirë në shoqëri. Ishte një shprehje që çdo familje një djalë e çon në ushtri dhe një me talebanët, që të mos kishin persekutimin as të regjimit dhe as të talebanëve.

Talebanët kishin një thënie, ‘ju keni orët, ne kemi kohën’. Kur ju të largoheni, ne do të jemi përsëri këtu. Pritej që do ndodhte. Nuk është se kishte një kohë të mirë për t’u tërhequr dhe pas disa viteve kjo situatë do të përsëritej. Në të ardhmen sigurisht që do të ndodhte”, tha Qirjazi.

Ai tregoi më teh se talebanët nuk mbështeten nga myslimanët e moderuar në Afganistan.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb