TIRANE- Humbja e fundit e Tiranës, në derbin me Partizanin, ka shtuar thirrjet në drejtim të Bashkisë së Tiranës, për të kthyer vëmendjen nga klubi i futbollit.

Bashkia e Tiranës ka reaguar sot lidhur me situatën financiare të klubit “Tirana”, duke theksuar se u ka kërkuar shumicës së aksionerëve të sport klubit, që të zhvillojnë sa më shpejt mbledhjen e asamblesë për të marrë vendimet e nevojshme lidhur me situatën aktuale financiare, si pasojë e një drejtimi jo të mirë menaxherial.

Nga ana e tij kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh sot se “Kur dëgjoj gjëra të natyrës: ‘Na duhen 130 mijë euro për një lojtar që ka luajtur vetëm 7 minuta në Shqipëri’, sigurisht që paratë e taksapaguesve të Tiranës, nuk mund t’i administroj shkel e shko. 130 mijë euro për 7 minuta, besoj as Ronaldo nuk i kërkon! Ajo që kam kërkuar e premtuar si kryetar bashkie është që t’i ndihmojmë të gjitha ekipet”.

“Nisur nga shqetësimet e ditëve të fundit mbi situatën financiare të klubit të futbollit “Tirana”, Bashkia e Tiranës dëshiron të sqarojë opinionin publik, por edhe të gjithë tifozët, se klubi funksionon si një ndërmarrje aksionare dhe bashkia është në minorancë, duke qenë se zotëron vetëm 34% të aksioneve të klubit. Gjatë kësaj kohe, klubi “Tirana” ka marrë në përdorim nga Bashkia e Tiranës edhe një grup asetesh si: Stadiumi “Selman Stërmasi” dhe stadiumi “Skënder Halili”, të cilët respektivisht janë të pajisur me nga një terren sportiv dhe fusha trajnimi. Megjithatë, prej disa javësh, kryetari i Bashkisë së Tiranës u ka kërkuar shumicës së aksionerëve të sport klubit “Tirana”, të cilët përfaqësohen nga administratori, z. Refik Halili, që të zhvillojnë sa më shpejt mbledhjen e asamblesë së klubit për të marrë vendimet e nevojshme lidhur me situatën aktuale financiare, si pasojë e një drejtimi jo të mirë menaxherial.”- thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës.

Pak ditë më parë, si tifoz i Tiranës, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili u shpreh i zhgënjyer, duke i bërë thirrje Bashkisë së Tiranës që të reflektojë, në mënyrë që kryeqyteti të ketë skuadrën dinjitoze që meriton.

“Ashtu si bashkëtifozët e mi të Tiranës, ndihem i zhgënjyer. Futbolli i Tiranës është lënë pas dore nga bashkia. Kryeqyteti meriton një skuadër dinjitoze. Bashkia si aksionere është larg detyrimeve që ka. Duhet të ketë një reflektim urgjent nga ana e Bashkisë së Tiranës. Këshilltarët bashkiakë duhet të reagojnë për këtë situatë pasi jeta e kryeqytetit është e varfër pa futbollin. Duhet që të respektohet tradita dhjetëra vjeçare e Sport Klub Tiranës.”- deklaroi Vasili.

Edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi konsideron se ekipi i Tiranës nuk ka marrë mbështetjen e duhur nga Bashkia. Sipas tij, është e papranueshme, që Bashkia e Tiranës nuk ka dhënë asnjë fond për ekipin.
“Është e papranueshme që Bashkia e Tiranë si bashkëaksionere e Klubit Tirana të mos japë asnjë fond për Tiranën. Tirona është krenaria e kryeqytetit e meriton vëmendjen e Bashkisë. Bashkohem me shqetësimin e Z .Vasili dhe do i kërkojmë këshilltarëve të PDIU në Këshilli Bashkiak të ngrenë këtë çështje.”- deklaroi Idrizi.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: