MAQEDONI- Analisti Arsim Sinani e shikon atë që ndodhi në Maqedoni si fundin e një nacionalizmi. Në një intervistë për “BalkanWeb”, Sinani thotë se zhvillimet e djeshme treguan se çfarë është në gjendje të bëjë partia e Gruevskit e cila frymëzohej nga Millosheviçi dhe qeverisi vendin mbi modelin e Putini, ku shqiptarët përdoreshin për dekor.

Si i shihni zhvillimet e djeshme në Maqedoni?
Zhvillimet e fundit në Parlamentin e Maqedonisë nxorën në dritë se çfarë është në gjendje të bëjë VMRO dhe lidershipi i saj. Në vazhdimësi në deklarimet e mia e kam qartësuar se kjo garniturë e udhëhequr nga Nikola Gruevski lipset të shkojë në opozitë dhe kjo parti të reformohet apo të shpallet e jashtëligjshme pas veprimeve të mbrëmshme.

Ndaj keqardhje për dhunimin që iu bë deputetëve të shumicës së re parlamentare, i përgëzoj gazetarët që qëndruan dhe informuan për të vërtetën e dhimbshme. Mbrëmë në Maqedoni fitoi demokracia përballë dhunës dhe u thyen “Trdokornit”(të fortët) e VMRO-së. Ftoj organet e rendit që t’i vendosin pas grilave të gjithë ata që mbrëmë e tensionuan situatën, pa asnjë hezitim, për të treguar kështu se shteti parlamentar është në funksion.

Si e vlerësoni dhunën që ndodhi në Kuvend?
Doktrina e kësaj politike e cila mbrëmë eskaloi me një dhunë në Parlamentin e Maqedonisë, që për mendimin tim është maja e një modeli të një qeverisjeje shtetërore abuzive dhe e komprometuar. Ky model zbatohet që nga pavarësimi i Maqedonisë dhe ka frymëzim shpirtin e keq të Milloshevicit që vazhdoi të shtypë dhe dhunojë shqiptarët në Maqedoni, mëpastaj po kjo doktrinë e zgjodhi modelin e Putinit për të qeverisur Maqedoninë ku fatkeqësisht shqiptarët përdoren për dekor.

Maqedonia është shtet multi-etnik ndërsa funksionoi në tërësi si shtet monoetnik, patriotizmi i sotëm maqedonas është as më pak e as më shumë se mbulim i keq qeverisjes që qytetarin e ka varfëruar, poshtëruar, e ka larguar nga vendi, e ka shtypur, burgosur, dhunuar dhe aparati shtetëror përdoret për ruajtjen e kësaj elite që është në krye të VMRO-së.

Gjuha shqipe, barabarësia e shqiptarëve, ndarja e vërtetë e pushtetit mes dy etnike shqiptarëve dhe maqedonasve të sotëm, diskriminimi në kupolën shtetërore, abuzimi me elitën politike shqiptare dhe mijëra argumente flasin për një demokraci abuzive që lipset të merr fund. Qytetarët dje e dhanë provimin dhe e dërguan në opozitë kreun e VMRO-së në mënyrë demokratike, për këtë flasin numrat.

Si do zhvillohen ngjarjet më tutje?
Tani është koha e ndërhyrjes së fortë ndërkombëtare për të vazhduar që të vendoset demokracia në funksion pasi vetëm edhe një minutë nëse nuk veprohet forca të errëta mund ta sundojnë dhe dhunojnë qytetarin. Nëse nuk izolohet ashtu siç ndodhi mbrëmë do vazhdojë kjo agoni që ka për qëllim amnistimin e atyre që e sollën Maqedoninë në këtë gjendje.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb