Pas alarmit të dhënë nga qytetarët e Tropojës dhe apelit të tyre për ndihmë për të ndalur shkatërrimin e Valbonës, ditën e djeshme ka reaguar organizata e njohur për mbrojtjen e natyrës, Fondi Botëror për Natyrën, (WWF) kundër ndërtimit të 14 HEC-eve në këtë park kombëtar. WWF i tha BIRN se dënon planet e qeverisë shqiptare për ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Valbonës, ndërsa paralajmëroi se ndërhyrja në një zonë të kategorisë së mbrojtur do të shkatërronte ekosistemin.

“Parqet kombëtare janë deklaruar të mbrojtura për të ruajtur zonat e tyre kulturore dhe proceset ekologjike, fakti që Valbona është caktuar në një prej kategorive më të larta të mbrojtjes (niveli i mbrojtjes II në Bashkimin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës), tregon se sa i rëndësishëm është ky ekosistem”, – tha për BIRN, Petra Remeta, menaxhere programi e ujit të ëmbël pranë WWF Adria.

Sipas WWF, ndërmarrja e një aktiviteti të madh ndërtimi, si ndërtimi i një hidrocentrali, pa diskutim do të rrezikonte proceset natyrore dhe do të shkatërronte sistemin, duke vënë në rrezik me kalimin e kohës edhe komunitetet vendëse. Një ditë më parë edhe “GSH” publikoi situatën alarmante dhe shkatërrimin e Parkut të Valbonës si dhe apelin e qytetarëve për të frenuar ndërtimin e hidrocentraleve. Banorët e Tropojës kanë paralajmëruar protesta masive në kryeqytet javën e ardhshme.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: