Java e fundit e muajit shkurt rregjistroi numrin më të lartë të rasteve me COVID 19, që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri, në muajin mars të vitit të kaluar, ndërsa dhe viktimat u rritën ndjeshëm, krahasuar me javën pararendëse (19-25 Janar). Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës, tregojnë se numri i të prekurve arriti rekordin e 6180 të infektuarve, duke u rritur me 27.9 përqind, ndërkohë që testimet gjithashtu u rritën, (24.737 tamponë) por me një ritëm më të ulët, ose 16.7 përqind më shumë se një javë më parë.

Gjatë javës së shkuar u shënua dhe rekordi ditor me 901 raste, të deklaruara ditën e shtunë, me 30 Janar. Ndërsa në 24 orët e fundit, sipas ministrisë së Shëndetësisë “janë kryer 2960 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 865 qytetarë”. Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar thuajse në të gjithë vendin, duke përfshirë 43 bashki: 421 raste në Tiranë, 55 në Fier, 39 në Lushnje, 35 në Durrës, 29 në Kurbin, 26 në Vlorë, 23 në Sarandë, 22 në Delvinë, 20 në Elbasan, 17 në Shkodër, 16 në Berat, nga 14 raste në Kavajë, Gjirokastër, Divjakë, Kuçovë, 13 në Mallakastër, nga 9 raste në Lezhë, Gramsh, 8 në Peqin, nga 7 raste në Mirditë, Malësi e Madhe, 6 në Kukës, 5 në Rrogozhinë, nga 4 raste në Kamëz, Dibër, Skrapar, Cerrik, nga 3 raste në Prrenjas, Konispol, nga 2 raste në Librazhd, Tepelenë, Fushë-Arrëz, Bulqizë, Memaliaj, Kolonjë, dhe nga 1 rast në Korçë, Tropojë, Mat, Ura Vajgurore, Vau i Dejës, Belsh, Shijak, Poliçan.

Përkeqësimin e situatës e konfirmon dhe rritja e pozitivitetit me 2.2 pikë përqindje krahasuar me javën pararendëse, duke u ngjitur në një mesatare javore prej 24.9 përqind. Pozitiviteti (raporti mes rasteve të konfirmuara dhe testimeve) është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Po ashtu dëshmi e rëndimit progresiv të pandemisë, është dhe rritja e të shtruarve në spitale veçanërisht në dy ditët e fundit. Sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë, deri pasditen e së hënës “në 4 spitalet COVID, po trajtohen 365 pacientë, 25 në terapi intensive nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar”. Në fund të javës së shkuar në spitalet COVID kishte vetëm 282 pacientë.

Gjatë javës së fundit të Janarit, edhe numri i viktimave pësoi një rritje prej 60.4 përqind. Në total janë 69 persona të cilët kanë humbur jetën në spitalet COVID. Vetëm në 24 orët e fundit, u njoftuan 13 vdekje: 9 qytetarë nga Tirana, 1 qytetar nga Mati, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Lushnja, 1 qytetar nga Vlora, të moshave 60-80 vjeç.

Ky është dhe numri më i lartë i vdekjeve i rregjistruar përgjatë gjithë muajit Janar, ku situata erdhi duke u rënduar në ditët e fundit. Megjithatë, krahasuar me dhjetorin, totali i jetëve të humbura është ndjeshëm më i ulët, me 207 viktima, kundrejt 364 të rregjistruar në fund të vitit të shkuar.

Nga ana tjetër, rastet e reja në Janar, u rritën vetëm me 2.8 përqind, duke kapur një total mujor prej 20.269 të prekurish, falë niveleve të ulta të infektimeve, kryesisht në gjysmën e parë të muajit. Testimet në ndërkohë u rritën me 34 përqind. Për pasojë, mesatarja mujore e pozitivitetit ishte 20.9 përqind, nga 27.3 përqind në muajin Dhjetor./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb