Kreu i Dhomës së Tregtisë Nikolin Jaka kërkon që qeveria të bëjë ndërhyrje drastike në buxhet për të përballuar situatën e krijuar nga koronavirusi.
Në një lidhje për News24, Jaka tha se paketa e qeverisë është e mirëpritur por duhet të jenë dhe skenarët e qartë. Sipas tij nëse masat shtrënguese shkojnë përtej dy muajve, sipërmarrja nuk mund ta përballojë.

“E kemi vlerësuar paketën që ka paraqitur qeveria shqiptare por nga ana tjetër ne jemi të prirur për të pasur një plan të përbashkët sipërmarrje me qeveinë në mënyrë që të shohim të gjithë skenarët e mundshëm si do zhvillohet procesi i virusit. Shumë të panjohura na shoqërojnë. Skenarët janë mbase më shumë se sa të rrezikshme. Nëse masat shtrënguese do të vazhdojnë për një periudhë të gjatë nuk ka asnjë paketë financiare e asnjë lloj qeverie, të paktën e Ballkanit Perëndimor që të përballojë krizën dhe dëmet ekonomike që mund të shkaktojë COVID-19. Është një domosdoshmëri për të parë dhe modelet e suksesit për të implementuar ato masa shtrënguese që ruajnë gjithmonë qytetarët që janë të rrezikuar nga koronavirusi dhe për të lejuar dhe lehtësuar të gjithë aktivitetin që duhet të jetë në normalitet për pjesën tjëtër të shoqërisë.
Paketa financiare e cila u publikua nga kryeministri është një paketë e cila përmbush mbase detyrimet mujore ndaj të punësuarve por struktura e biznesit në Shqipëri është e pastrukturuar ku sipërmarrja e vogël është 70% e gjithë sipërmarrjes në vend, pra kemi rreth 80 mijë biznese të vogla dhe janë të rrezikuara realisht nga zgjatja e afatit kohor. Pra, ne do kemi një pësim të mbylljes totale të strukturave të biznesit të vogël pse jo dhe të mbylljes së strukturave të disa bizneseve të cilat janë në ringritje, në riorganizimi apo të pastrukturuara dhe në pamundësi financiare për të mbajtur peshën e pagave të punonjësve të tyre.
Ne aktualisht kemi një GDP rreth 14 mld dollarë dhe kemi një GDP jo zyrtare 34 mld dollarë. Në qoftë se sot qarkullimin zyrtar e kemi rreth 38 mln dollarë në ditë, qarkullimin jo zyrtar e kemi 98 mln dollarë në ditë. Kemi dy herë pasoja.
Të gjitha kompanitë e ligjshme apo sipërmarrjet e vogla të ligjshme janë të predispozuara në këto kushte të masave shtrënguese të falimentojnë, ndërsa kompanitë informale janë ato që do mbizotërojnë dhe mund të zëvendësojnë strukturat e rregullta të biznesit”, deklaroi Jaka.

Sa i përket efekteve tek biznesi i madh, ai shtoi se nuk mendon që mund të ketë një ekspert që mund të nxjerrë një sektor të ekonomisë të painfektuar nga masat shtrënguese të COVID-19.

“Është ulur qarkullimi me 30-40% në rastet më të mira. Mbyllja e hotelerisë, shërbimet ndaj qytetarëve kanë ndikim në qarkullimin ekonomik. Është afektim i sipërmarrjeve me njëra-tjetrën”, tha ai.

Lidhur me kreditë, Jaka tha se është një moment që duhet studiuar me shumë kujdes nga kompanitë sepse në qoftë se një kompani do përdorë garancinë sovrane për të likuiduar pagat e punonjësve, tatimet dhe sigurimet shoqërore, kjo do të thotë që po shkon me vullnetin e saj drejt humnerës, në qoftë se afat kohor kalon mbi dy muaj nga momenti që kanë filluar masat shtrënguese.

“Në qoftë se ne kemi një përshkallëzim të masave shtrënguese deri në fund të muajit prill dhe pas muajit prill ne do kemi një lehtësim të sipërmarrjes dhe një kthim jo në realitetin e mëparshëm, pra duhet të jemi koshientë dhe të ndërgjegjshëm që nuk mund të ketë më realitet siç ishte, atëherë sipërmarrjet mund ta kalojnë këtë lloj vështirësie 1 mujore, 2 mujore por në qoftë se masat shtrënguese do vazhdojnë më shumë se 2 muaj është totalisht e pamundur që sipërmarrja të përballojë kostot e veta nëpërmjet kredive sepse këto kredi janë për t’u kthyer nesër nga njëra anë dhe nga ana tjetër garancia sovrane prej 100 milionë dollarë është totalisht e pamjaftueshme për kërkesat që do vijnë nga sipërmarrja për të aplikuar në këtë lloj kredie”, deklaroi Jaka.

Sa i përket mundësisë që vendi të shkojë në recesion, kreu i Dhomës së Tregtisë deklaroi: “Jo nuk rrezikon recesionin por rrezikon që skenari më i mirë i paunësisë është 50% por mund të kalojë edhe më shumë se 50% dhe shumë struktura biznesi do jenë të falimentuara dhe të mbyllura dhe atëherë i bie që ne duhet të ngremë strukturat ekonomike pas koronavirusit dhe ajo ka të bëjë pastaj se si një qeveri apo një shoqëri do ketë edhe atë zgjuarsinë e duhur për të ngritur strukturat e biznesit dhe për t’u përshtatur me situatën e krijuar. Pra ne duhet t’i harrojmë shumë gjëra që ishin para marsit dhe duhet të fillojmë të përshtatemi në mënyrë të zgjuar me qasjen e re që koronavirusi po i krijon botës dhe në veçanti Shqipërisë”, tha ai.

Sa i përket turizmit, si një nga sektorët e goditur, Jaka nënvizoi nevojën e skenarëve realë.
“Unë do doja të bëja një analizë pak më të orientuar. Nëse padijenia është prezentë në çdo moment ne nuk do dimë si të veprojmë. Është industri që gjeneron të ardhura për buxhetin e shtetit. Unë jam i mendimit që qeveria shqiptare në bashkëpunim me qeveritë e tjera të orientohet me skenarët realë si duhet të operohet. Asnjë mjek nuk jep asnjë lloj afati. Pyetja është a kthehet koronavirusi tek ata qytetarë që e kalojnë njëherë? Në qoftë se ky virus kthehet atëherë në duhet të përgatitemi për një skenar 2-3-vjeçar deri në momentin kur të gjendet vaksina. Skenarët janë aq të panjohur sa ne nuk mund të themi gjë. Po ne mund të themi se industria e turizmit kërkon 500 milionë euro injektim financiar, por për sa, kur i duhen”, deklaroi ai.

Lidhur me lëvizjet e qeverisë për të siguruar të ardhurat, ai tha se nuk e di nëse ka ndonjë lëvizje të qeverisë për të siguruar të ardhurat. “85% e GDP-së mbulohet nga sipërmarrjet private. E shoh të arsyeshme që qeveria të bëjë ndërhyrje drastike në buxhet. Ashtu siç kryeministri e cilëson shpesh që jemi në luftë, ashtu duhet të bëhet ndërhyrje në buxhet që ne të shohim elementë të domosdoshëm jetikë. Buxhetit shqiptar do i mungojnë të ardhura të ndjeshme. Ndërhyrjet janë domosdoshmëri dhe më e rëndësishme fokusi tek domosdoshmëria. Nuk kemi luksin të fokusohemi as tek vepra të mëdha, as tek një sektor i caktuar, por tek jeta, tek baziku”, theksoi Jaka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb