Si pasojë e situatës së shkaktuar në vend orët e fundit nga reshjet e dendura të shiut, Ministria e Mbrojtjes iu bën thirrje banorëve të zonave ku janë shfaqur probleme, të bëjnë kujdes dhe garantojnë se janë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për t’u ardhur në ndihmë në çdo rast të nevojshëm.

Në një reagim zyrtar Ministria bën me dije se qarqet më problematike janë Durrësi, Tirana, Dibra, Shkodra dhe Elbasani. Nga qarqet e tjera të vendit nuk janë raportuar probleme për shkak të kushteve të motit.

Moti i keq në vend, normalizohet situata në disa zona
Ora 21:50- Ministria e Mbrojtjes njofton se në të gjithë vendin ka pasur reshje me intensitet shumë të lartë, të cilat kanë sjellë problematika si; rrëshqitje gurësh, dherash, bllokime rrugësh nga dëbora etj., të cilat janë menaxhuar dhe rikthyer në gjendje normale nga strukturat e emergjencave civile.

Të gjitha kapacitetet e sistemit të Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë, për të përballuar situatën dhe për të ndihmuar në zhvendosjen e popullsisë, gjësë së gjallë dhe bazës ushqimore nga zonat më të rrezikuara në zona më të sigurta, në rast se do të jetë e nevojshme.

Në qarkun e Shkodrës firmat kontraktore kanë punuar për të pastruar akset rrugore Tamarë- Qafa e Bërdalecit, ku ka pasur rënie gurësh dhe inerte si dhe aksin Theth- Qafë Thore nga dëbora.

Nën monitorim është situata e krijuar nga fryrja e lumit Erzen, në zonën e Sukthit.
Me vëmendje po ndiqet situata në Dibër, ku policia po drejton kalimin e mjeteve drejt Dibrës dhe Tiranës, në aksin rrugor Dibër- Tiranë pranë tunelit, ku për shkak të rrëshqitjes së 2 mjeteve nga dëbora u bllokua qarkullimi.

Aktualisht strukturat e emergjencave civile janë në ndjekje të situatës në qarkun e Elbasanit. Situata paraqitet e normalizuar në aksin rrugor Librazhd-Zgosht, ku pati rënie të gurëve në rrugë. Aksi rrugor Bajram Curri- Valbonë, në qarkun e Kukësit është i hapur dhe pa probleme. Edhe në Korçë po punohet me borëpastruese për të mbajtur të hapur aksin rrugor Boboshticë- Dardhë, ku ka pasur reshje dëbore.

Strukturat vendore të emergjencave civile janë në gatishmëri edhe në qarkun e Vlorës, ku ka një ngritje të nivelit të Lumit Vjosa në Urën e Mifolit.

Situata e krijuar nga moti i keq në vendin tonë
Ora 18:00- Sipas të dhënave të raportuara nga emergjencat civile, reshjet e shumta kanë sjellë disa problematika në zona të caktuara të vendit. Situata konkretisht paraqitet si më poshtë:

Qarku Tiranë. Si rezultat i reshjeve të shiut ka pasur prezencë uji në rrugën “5 Maji”, ku janë rrezikuar disa banesa. Ekipet e punës së bashkisë Tiranë kanë punuar për normalizimin e situatës. Në vendin e quajtur Ura e Maqedonasit, bashkia Rrogozhinë, Lumi Shkumbin ka rritje të prurjeve dhe lumi ka filluar të dalë nga shtrati. Në vendngjarje kanë shkuar përfaqësues të bashkisë Rrogozhinë si dhe Prefekti i qarkut Tiranë Z. Afrim Qëndro. Situata po mbahet në monitorim.

Qarku Shkodër. Ka patur reshje shiu me intensitet mesatar. Në aksin rrugor Tamarë- Qafa e Bërdalecit ka pasur rënie gurësh dhe inerte. Firma kontraktore ka punuar për pastrimin e saj.

Qarku Durrës. Si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë ka një fryrje të lumit Erzen në zonën e Sukthit. Situata po monitorohet nga Prefekti i qarkut Durrës.

Qarku Dibër. Në fshatin Vinjoll, njësia administrative Lis, është dëmtuar Ura e Kaçes, e cila është rrëmbyer nga prurjet e zallit dhe është bërë e pakalueshme. Rreth 10 familje janë të izoluara dhe nuk komunikojnë dot me qendrën e fshatit dhe as me qendrën e njësisë administrative.

Qarku Elbasan. Si pasojë e reshjeve që vazhdojnë dhe e prurjeve të mëdha të ujit ka dalje të ujërave të përroit të Gurrës në njësinë administrative Shushicë dhe dalje të lumit Shkumbin në Malasej, njësia administrative Gjergjan, bashkia Elbasan, ku janë nën ujë gati 1 ha toka bujqësore.

Në aksin rrugor Librazhd-Zgosht ka pasur rënie të gurëve në trupin e rrugës.

Nga qarqet e tjera të vendit nuk janë raportuar probleme për shkak të kushteve të motit.

Të gjitha strukturat, qoftë të pushtetit vendor, ashtu dhe ato qendrore u bëjnë thirrje banorëve të zonave ku janë shfaqur probleme, të bëjnë kujdes dhe garantojnë se janë në ndjekje të situatës dhe në gatishmëri të plotë për t’u ardhur në ndihmë në çdo rast të nevojshëm.

 

 

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: