Presidenti i Institutit Liberal Pashko, Preç Zogaj, përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur në lidhje me zhvillimet brenda opozitës dhe situatën politike në prag të zgjedhjeve të 14 majit.

Zogaj deklaroi se zgjedhjet do jenë në tërësi shumë të vështira për opozitën e cila futet në garën elektorale e përçarë, ndërsa shtoi se nga ana e Enkelejd Alibeajt qëndron ende ftesa për një formë bashkimi duke thirrur kandidatët e Primareve që të garojnë nën siglën e tij.

Sipas tij nga ana tjetër Sali Berisha nuk ka “shtrirë dorën” ndonjëherë për bashkëpunime politike, ndërsa tha se një bashkim brenda demorkatëve është i pamundur për sa kohë që ngelet problemi që ka krijuar ndarjen, pra shpallja non-grata e ish-kryeministrit.

Sakaq, Zogaj foli edhe mbi shkrimet e mediave ndërkombëtare për kryeministrin, teksa tha se qëndrimi i Ramës ndaj tyre ka qenë arrogant, por është gjithashtu një vënie me shpatulla pas muri për Ramën.

Ai vijoi duke thënë se këto shkrime kanë ngritur pikëpyetje të mëdha për kryeministrin dhe ekzekutivin e Shqipërisë, të cilëve u ka dalë era në kontinent dhe matanë oqeanit.

“Bashën e pengonte dorëheqja e tij, ai nuk do shtinte fall për të gjetur datën e zgjedhjeve. Ishte e gjitha një lojë për të nxjerrë në sipërfaqe histori të konsumuara për t’i diskutuar në media për të thënë që ai nuk e ka dhënë dorëheqjen. Kjo është një çështje e gjykuar, këto janë institucionet. KAS ka urdhëruar regjistrimin e PD me kryetar të komanduar Alibeajn në zgjedhjet e 14 majit.

Sa i përket opozitës, jo vetëm PD-së por në tërësi janë zgjedhje të vështira pasi opozita është e përçarë. PD zyrtare do kandidojë për të gjitha këshillat me lista të plota. Qëndron ende ftesa e Alibeajt për kandidatët e Primareve për të kandiduar nën siglën e tij duke e cilësuar si një zgjidhje për maksimalizimin e votave.

Kjo ftesë me sa kuptova është ende në fuqi por fakti është se nuk ka pasur asnjë hapje ndaj këtij propozimi dhe kam vënë re se Berisha ka vijuar sulmet e tij ndaj Alibeajt dhe grupit të tij duke më lënë të mendoj se ai nuk e ka ndërmend që të lejojë vendosjen e kandidatëve të tij në dispozicion të logos. Nëse nuk do ketë përgjigje deri në limitet kohore të ftesës besoj se PD do shohë për të vendosur kandidatët e vetë në bashkitë që mendon se do i fitojë, nuk e di por besoj se do ketë kandidatë jo në të gjitha bashkitë.

Nuk mund të flas me optimizëm për një bashkim të Berishës dhe Alibeajt, kam folur për nevojën e një takticizmi elektoral duke lënë pas arsyet e ndarjes së partisë për të maksimalizuar votën. Berisha ka qenë refuzues dhe mos pranues duke i identifikuar si kundërshtarë partinë demokratike zyrtare. Merakun e ka aty pavarësisht retorikës ndaj Ramës.

Berishën nuk mbaj mend të ketë shtrirë ndonjëherë dorën ndaj askujt apo asnjë pale. Vetë nuk e mbaj mend një rast të tillë. Nismat për bashkëpunim dhe aleanca elektorale, se bashkim nuk shoh të ketë as tani dhe sa kohë ngelet problemi që ka krijuar ndarjen që është shpallja non-grata e Sali Berishës. Nisma ka pasur dhe janë marrë vazhdimisht nga Alibeaj ose Bardhi.

Qëndrimi i Ramës ndaj medias ndërkombëtare është arrogant por është një vënie me shpatulla pas murit për Ramën. Shkrimi për McGonigal ka ngritur pikëpyetje të mëdha për kryeministrin dhe ekzekutivin e Shqipërisë. U ka dalë era në kontinent dhe matanë oqeanit problemeve të qeverisë së Shqipërisë. Ka qenë naivitet i Ramës se do mbulonte problematikat e qeverisjes së tij me marrëdhëniet e mira që ka pasur me kryeqytetet e Perëndimit dhe me justifikimin se ka një opozitë ashtu si është. E vërteta ka dalë ashtu si është.

SPAK nuk mund të veprojë nëse nuk ka shkelje, nuk ndërhyn dot nëse nuk ka shkelje edhe nëse një person ka konflikt të hapur me kryeministrin. Në vend kanë ndodhur shumë skandale për të cilat drejtësia ka heshtur, jam i prirur t’i shoh këto si konsolidim të SPAK-ut. Kjo është një histori e re që ka filluar dhe do vazhdojë, unë i qëndroj bindjes time se SPAK nuk e përcakton politika, sigurisht që ndikon.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: