TIRANË

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka qenë mbrëmjen e sotme i ftuar i Sokol Ballës në emisionin “Real Story” në News24, ku ka folur për çështje të aktualitetit politik, ekonomik e social.

Veliaj u ndal tek qeveria e re “Rama 3”, fokusi i së cilës për këtë mandat siç tha ai është ekonomia. I pyetur nëse ndihet maxhoranca komode me përplasjen e fundit në PD, Veliaj mohoi duke theksuar se shumë beteja që ishin duke u zhvilluar janë duke vazhduar ende.

“Jo nuk ndihemi aspak komodë sepse shumë beteja që ishin duke u zhvilluar gjatë kohës së zgjedhjeve janë duke vazhduar akoma. Beteja e pandemisë, për të rritur vaksinimet, për t’u siguruar që shtretërit dhe i gjithë sistemi spitalor përballon fluksin, historia e tërmetit është një histori e pambaruar, por me shpresë tani që kemi hequr pjesën më të madhe të shtëpive individuale mund të fokusohemi më shumë tek pallatet, yçklat burokratike që ekzistojnë kudo, përmbarimi, një urdhër bllokimi, kështu që ne rikthehemi në betejat që kishim edhe gjatë, edhe përpara fushatës zgjedhore, kurse PD ka një dinamikë tjetër. Gjithmonë kam qenë me idenë secili duhet të bëjë llogaritë e veta. Pra, ky grupim politik që quhet Parti Socialiste ka një bilanc të qartë të një fitoreje të tretë, të një pune kirurgjikale në terren për të maksimizuar punën e vet, por edhe votat që shpërblejnë këtë punë dhe tani ka marrë një kontratë të tretë, ku me sa duket dhe nga programi i kryeministrit një fokus i madh do jetë ekonomia, rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë, besoj që është strategjia e duhur për të ecur përpara”, tha Veliaj.

Ai tha se në programin e qeverisë, u fol për rritje të rrogave, sidomos për administratën, për ta bërë më dinjitoz shërbimin publik dhe për të vazhduar ekspansionin në investime, siç janë dy aeroportet e reja dhe lidhjet e tjera të infrastrukturës.

“Ajo që është kuptuar, shko tek SHBA-të, sigurisht që ne jemi një miniaturë e asaj që po ndodh atje, por edhe strategjia e administratës Biden të injektohen në ekonomi, kryesisht në infrastrukturë, plani disa trilionësh për rimëkëmbjen e infrastrukturës dhe ajo ka një efekt të pikatores që pikon në ekonomi. Unë pashë edhe gjatë pandemisë, sigurisht që unë bëj vetëm llogaritë e Tiranës, është rritur çmimi i pronës, janë rritur të ardhurat, të vjelat, ajo që vjel shteti, si bashkia, si qeveria nga taksat, do të thotë që ekonomia ka vazhduar, sidomos sektori i ndërtimit, sektori i hotelerisë që tani që po ringjallet. Patëm një sezon turistik të mirë, tani që Tirana është hapur dhe besoj që kjo qeveri e tretë e Edi Ramës, i ka të gjitha shanset për sukses me këtë fokus tek ekonomia dhe tek investimet. Deri dje kishim realisht një justifikim, ndodhën dy tërmete, pandemia, sot rikthehemi në origjinë ku ne kemi një ambicie. Sigurisht që jemi të majtë, ne kryesisht jemi të shqetësuar për pensionet, pagën minimale dhe pagën mesatare”, u shpreh ai.

Sa i përket pensioneve, kreu i Bashkisë së Tiranës tha se kryeministri Edi Rama është angazhuar për adresimin e një hendeku të krijuar me reformën e pensioneve.
“Kemi bërë reformën e pensioneve dhe reforma prodhoi disa të mira, por prodhoi dhe disa anomali. E mira ishte që u rritën pensionet për ata që i kapi reforma nga 2015 e këtej. Kam takuar persona me pension 400-500 mijë lekë, që është gjë që është shumë e mirë se iku tavani, por që përveç të mirave krijoi dhe një anomali, që ka një hendek të madh po ata që dolën në 31 dhjetor 2014. Angazhimi i kryeministrit është që do adresojë këtë hendek dhe këtë anomali. Ajo që di të them është që është buxheti që ndan mënyrën se si do të lidhet ky hendek. Mbetet ta shohim në buxhet instrumentin financiar me të cilin do adresohet”, tha ai.

I pyetur se ku do të gjenden paratë për investime, teksa kryeministri deklaroi se qeveria do të ulë borxhin, Veliaj tha se shumë nga grantet për të cilat është marrë angazhim në konferencën e donatorëve nuk janë lëvruar ende, duke sqaruar se si do të funksionojë.

“Së pari ky është një angazhim për katër vitet e ardhshme nuk është diçka që do ndodhë sot. Së dyti duhet të kuptojmë që kolpon në rritjen e madhe të borxhit, patjetër që ne kishim disa operacione të rëndësishme financiare, por kolpon më të madhe, kur emetuam bonot e thesarit dhe eurobondin e kishim në kohën e tërmetit, ku ne na duhej një cash. Dje kishim një takim me kolegët italianë që më në fund kanë disbursuar ndihmën e tyre. Kjo do të thotë që do të ulet nevoja për të marrë kredi, për sa kohë që tani ka filluar, ka një burokraci dhe nuk i hyj fare llogarisë së vendeve të tjera, por shumë prej atyre që u angazhuan në konferencën e donatorëve ende nuk i kanë materializuar. Pra, ne deri tani kemi punuar me kreditë që kemi marrë, me buxhetin e shtetit dhe buxhetin e qytetit. Tani që fillon ky injeksion do të thotë që në vend që ne të vazhdonim me këtë ritëm investimesh me paratë tona lajmë borxhet që i morëm në ditën e vështirë, sigurisht që një bankë, qoftë kjo një bankë zhvillimore, ose një bankë e nivelit të dytë përgjigjet në një kohë me burokracinë më të ulët dhe në një kohë më të shpejtë se sa një qeveri. Në disa prej vendeve që u angazhuan ka pasur ndërrime të qeverisë. Rasti konkret i Italisë, u bë angazhimi nga qeveria Conte, tani është qeveria Draghi që më në fund procesoi këtë grant. Për sa kohë që do kemi më shumë të hyra në buxhetin e shtetit nga këto grante dhe programe zhvillimi në ndihmë të tërmetit dhe ato që ne kishim parashikuar do t’i kalojmë në larjen e borxhit, e shoh absolutisht të mundur që në 4 vitet e ardhshme ne të shkojmë drejt një reduktimi të borxhit. Por sot një nga vendet që ka më shumë borxhe në botë janë SHBA-të, është Japonia. Jo se po avokoj këtë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës shprehu bindjen se reduktimi i borxhit është absolutisht i mundur.
“Tani që ka filluar një injeksion nga paratë e angazhuara për rindërtimin nuk do kemi më detyrimin për të shpenzuar nga kursimet tona, ato do i çojmë në investime dhe për të larë borxhin dhe besoj që më duket absolutisht e mundur. Shqipëria me gjithë problematikat, është një shtetet më stabël dhe në kohën e krizës. Por unë nuk di, sidomos me Italinë që kam të bëj shumë me kryetarët e bashkive atje, një qytet ose një shtet ta ketë përballuar më me dinjitet dhe më me shpejtësi dhe efikasitet periudhën e tërmetit, sesa Shqipëria. Këtë mund ta themi hapur, mjafton të shikosh sot Amatriçen, apo Akuilën ku nuk është bërë as 30% e investimit. Në Amatriçe 3 vjet zgjati vetëm gjyqi i mensës së fshatit, një çështje që u bë kazus. Kështu që them që te pjesa e tërmetit kemi ecur mirë, kemi edhe pak dhe sa mirë që futet ky injeksion ndërkombëtar që paratë tona t’i çojmë për larje borxhi dhe për investime të brendshme”, tha Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb