TIRANË- Në ndjekje të situatës së krijuar në vend për shkak të reshjeve dhe përmbytjeve, Avokati i Popullit u bën thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet e autoriteteve që të evitohen humbjet e jetëve. Pasi ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e një gruaje në fshatin Vërdovë të Pogradec, u ka kërkuar autoriteteve të jenë në gatishmëri.

“Avokati i Popullit me hidhërim të thellë mësoi nga media humbjen e jetës së një gruaje 38-vjeçare në fshatin Vërdovë të Pogradecit si pasojë e kushteve të rënduara atmosferike. Me këtë rast Avokati i Popullit u shpreh ngushëllimet familjarëve të viktimës. Gjithashtu Avokati i Popullit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të ndjekin këshillat dhe udhëzimet e dhëna nga autoritetet në zonat më problematike në mënyrë që të evitohen humbjet e jetëve.
Avokati i Popullit nga ana tjetër fton autoritetet të vazhdojnë të jenë në gatishmëri të plotë për çdo rast emergjence jo vetëm për qytetarët por edhe për gjënë e gjallë që vazhdon të jetë e rrezikuar në zonat e përmbytura”, thuhet në deklaratën e AP.
Gjithashtu Totozani ka nxitur qytetarët të solidarizohen dhe u bën thirrje organizatave të shoqërisë civile të kontribuojnë për lehtësimin e gjendjes së krijuar.
“Ne nxisim gjithashtu të gjithë qytetarët të jenë solidarë me njëri-tjetrin dhe ju bëjmë thirrje organizatave të shoqërisë civile të kontribuojnë me mundësitë që ata disponojnë për lehtësimin e gjendjes së krijuar. Bashkëpunimi dhe solidariteti ndihmojnë menaxhimin me sa më pak dëme të situatës së rëndë të krijuar”, ka thënë Avokati i Popullit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb