Në Shqipëri janë duke qarkulluar tre lloje të gripit, AH1N1, AH3, virusi B si dhe COVID-19 që është prezente prej pothuajse tre vitesh. Flukse të shtuara pacientësh janë konstatuar në çdo spital të vendit, ku më të prekur, janë fëmijët dhe personat mbi 65 vjeç.

Nga të dhënat zyrtare të marra nga ISHP, rezulton se gjatë javës që lamë pas janë regjistruar 14 mijë persona të infektuar me grip, nga 12 mijë që ishte dy javë më parë. Nëse kurba do të jetë e njëjtë dhe në buletinët e ISHP do të regjistrohen 16 mijë persona të infektuar brenda harkut kohor të një jave, atëherë vendi kalon zyrtarisht në epidemi të gripit.

Mjekët nga ana tjetër, këshillojnë që nëse pacientët manifestojnë temperatura deri në 38 gradë, atëherë mund të kurohen në kushte shtëpie, me ushqime të nxehta të pasura me vitamina dhe ilaçe, ndërsa nëse temperatura është më e lartë, atëherë ato thonë që qytetarët duhet t’i drejtohen qendrave shëndetësore ose urgjencave.

Burime bëjnë me dije për News24, se në Urgjencën Kombëtare në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, është shtuar me plus 300 numri i thirrjeve, ndërsa në urgjencën pediatrike, paraqiten të paktën 400 fëmijë në 24 orë.
Sa i takon qendrave shëndetësore, një mjek pediatër, kuron në një turn 8 orësh mesatarisht 20 fëmijë, ndërsa sugjerojnë prindërit, që mos t’i dërgojnë në shkolla e kopshte, në mënyrë që të ndërpritet zinxhiri i infektimit.

Një nga mënyrat për t’u mbrojtur, sipas ekspertëve është dhe aplikimi i vaksinës së gripit. Ndërkohë paralelisht, është duke u ndjekur me kujdes situata e COVID-19, pasi një nënvariant i Omicron, ka regjistruar mijëra raste infektimesh në Kinë dhe SHBA, e së fundmi, ka pasur shifra në rritje edhe në vendet Evropiane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: