Dështon mbledhja e komisionit parlamentar të mediave. Kryetari i Komisionit parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, deputeti i PD Agron Gjekmarkaj, tha se opozita u paraqit në sallën e komisionit, ndërsa maxhoranca jo, pasi nuk e do përballjen.

Ai tha se jemi përpara një situate absurde dhe se Rama nuk do ta ketë të lehtë përballjen me opozitën.

“Opozita u paraqit në sallën e komisionit të edukimit dhe medias, në përputhje me kusht dhe ligjet e vendit. U paraqit për të respektuar parlamentarizmin dhe lirinë e fjalës. Gjendemi përpara një situate absurde. Maxhoranca nuk u paraqit, nuk u paraqit sepse nuk do përballjen me opozitën. Nuk duan të diskutojnë për çështjen e arsimit në Shqipëri, për shkollat që mbyllen, për 2 orë mësim në ditë në shkollat shqiptare. Kjo është një qeveri që ka dalë nga masakra zgjedhore e 25 prillit, i konvenon të shmangë çdo debat. Opozita nuk lutet, nuk është e vogël, përfaqëson shumicën e qytetarëve shqiptarë. Do jemi këtu për betejë të përditshme, betejë me regjimin. Nuk do ta ketë të lehtë Edi Rama përballjen me opozitën e Shqipërisë. Komisioni nuk u konstitua, por opozita u paraqit që të fillonte normalisht. Pjesëtarët e maxhorancës nuk erdhën sepse kanë urdhër. i bëj thirrje Nikollës të mos bëhet certifikuese e dëshirave të Edi Ramës. Të ndjekë shembullin e Pjetër Arbnorit, të Servet Pëllumbit”, deklaroi Gjekmarkaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb