Situata është disi më e qetë në spitalin COVID2 ose i njohur ndryshe si Sanatoriumi. Gazetari Erjon Skëndaj raportoi për “BalkanWeb” se në këtë spital ka dy javë që numri i urgjencave ka rënë ndjeshëm. “Në 24 orët e fundit ka pasur 4 urgjenca, gjatë paradites së sotme 2 ambulanca kanë mbërritur nga Elbasani. Pak më parë mbërriti dhe një ambulancë nga Infektivi”, raportoi Skëndaj.

Ai shton se nga informacionet e marra nga mjekët, situata brenda spitalit paraqitet stabël. “Ka 9 persona në terapi intensive, 4 prej të cilëve janë të intubuar. Ka 60 pacientë me tamponë pozitivë dhe 60 pacientë të tjerë me tamponë negativë, por me skaner tipik dhe simptoma të COVID-19”, deklaroi gazetari.

Por ndërkohë për spitalin COVID 1 ose Infektivin, Skëndaj tha se ka shumë pak informacione, pasi drejtuesit e këtij spitali kanë urdhër të prerë që stafi të mos nxjerrë informacione. “Nuk dihet se sa persona të shtruar ka ky spital. Ka një bunkerizim të informacionit për spitalin Infektiv. Të vetmet të dhëna janë ato të Ministrisë së Shëndetësisë në buletinin 24 orësh.

Nëse do të bëjmë një zbritje matematikore, nga 206 raste në dy spitalet, nëse do zbresim 120 të shtruarit në Sanatorium, në Infektiv duhet të ketë 80-85 të shtruar për momentin.

Ka dhe qindra persona të tjerë që nuk vijnë në spital por trajtohen me oksigjeno terapi në kushtet e shtëpisë. Ka më shumë se një muaj që mjeku i familjes po luan rolin e tij dhe personat që referohen nga mjeku i familjes vendosen në terapi me oksigjen, medikamente për të mos lejuar trashjen e gjakut dhe për shtimin e imunitetit. Ka shumë pacientë që po marrin me qira oksigjenin në pikat private të shpërndarjes dhe po trajtohen në kushtet e shtëpisë dhe kjo ka bërë që pacientët të qëndrojnë disi më larg spitalit”, deklaroi Skëndaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb