Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 26.121 raste nga 111.560 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 777 raste të vdekjes.

IKSHPK njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 16.499 raste, kurse numri i rasteve aktive është 8.845.

Për arsye se votimi për këto masa është duke u bërë online, ministrat e Qeverisë Hoti kanë kohë deri sot për t’i votuar këto masa, të cilat janë bërë publike të mërkurën nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Telegrafin, drejtoresha për informim në Zyrën e Kryeministrit, Antigona Baxhaku.

“Votimi është duke u bërë online dhe ministrat kanë kohë deri nesër (enjte) që të votojnë për këto masa të cilat janë prezantuar sot nga kryeministri Hoti. Ne do të ju njoftojmë nesër për vendimin, pasi të nënshkruhet nga kryeministri, pasi gjithçka është duke u bërë online”, tha Baxhaku.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka prezantuar masat e reja kufizuese që do të ndërmerren për shkak të rritjes së rasteve me coronavirus.

Hoti ka thënë se komunat janë ndarë në tri grupe, transmeton Telegrafi.

“Kemi ndërmarrë masa që vlejnë në tërë territorin e Kosovës, duhet të kemi kontrolle në kufi, hyrje dhe dalje. Kemi vendos që arsimi i lartë të kalojë plotësisht online, ndërsa parauniveristar vlen manuali që e kemi bërë më herët. Kemi vendosur që të kthehen ekipet kufitare që të bënë matjen e temperaturës në kufi. Të kthehen shtabet emergjente në komuna. Kemi rregulluar funksionimin për sektorin e ekonomisë në gjithë Kosovën. Lejohet sektori i bujqësisë, transporti, prodhimi. Këto janë masa për tërë territorin”, ishte shprehur ai.

Hoti tregoi se cilat rregulla do të vlejnë për komuna.

“Grupi i parë, komunat me rrezik të ulët, kemi lejuar operatorët ekonomik të punojnë nga ora 05:00 deri në 20:00, kemi rregulluar transportin publik. Kemi rregulluar edhe veprimtarinë e qendrave tregtare deri në ora 20:00, pastaj lejohet opsioni (merr me vete). Grupi i dytë me rrezik të mesëm: punojnë nga ora 05:00 deri në 18:00, gastronomia po ashtu deri në orën 18:00. Është rregulluar po ashtu transporti. Qendrat tregtare punojnë deri në ora 18:00. Grupi i tretë me shtatë komuna, nga ora 19:00 mbyllet çdo aktivitet dhe do të ketë orë policorë”, tha ai.

Zona e kuqe – rrezik i lartë

Pas orës 19:00 mbyllet çdo aktivitet ekonomik dhe vendoset kufizim i plotë i lëvizjes së qytetarëve, por edhe do të ketë orë policore dhe ndalohen hyrjet daljet në këto komuna deri në ora 05:00.

Komunat që hyjnë në kategori: Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë Kosova, Peja, Gjakova, Ferizaj, Shtime, Gjilan, Mitrovicë e Jugut.

Zona e verdhë – rrezik mesatar

Masat: Operatorët ekonomikë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 18:00, pas orës 18:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”.

Komunat që hyjnë në këtë kategori: Vushtrri, Klinë, Drenas, Deçan, Prizren, Shtërpcë, Suharekë, Kaçanik, Viti, Kamenicë, Novobërdë, Mitrovicë e Veriut, Hani i Elezit, Mamushë, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot, Lipjan, Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok.

Zona e gjelbër – rrezik i ulët

Masat: Operatorët ekonomikë do të lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në orën 20:00, pas kësaj ore vetëm shërbimi “merr me vete” dhe ai “porosi me dërgesë”.

Transporti publik do të lejohet të punojë deri në 50 për qind të kapaciteteve.

Komunat që hyjnë në kategori: Istog, Skenderaj, Dragash, Malishevë, Rahovec, Junik.

Ndryshe, si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve me coronavirus, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, njofton se Komiteti për menaxhim të situatës me COVID-19, në nivel të SHSKUK-së, ka vendosur të pezullojë punën në objektin e ambulancave specialistike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Pezullimi i punës bëhet për shkak të gjendjes epidemiologjike në vend dhe rritjes së vazhdueshme të rasteve me COVID-19. QKUK do të vazhdojë të ofrojë shërbime shëndetësore për rastet emergjente që kanë nevojë për trajtim mjekësorë. Ky vendim do jetë në fuqi deri në një vendim tjetër”, thuhet në njoftimin e SHSKUK-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb