Prej disa ditësh qyteti i Shijakut është mbuluar nga mbeturinat, pirgjet e të cilave gjenden në çdo rrugice. Kazanët e papastruar janë tejmbushur, duke bërë që mbeturinat të derdhen në rrugë e trotuare. Deri më tani autoritetet lokale nuk kanë marrë asnjë masë për situatën, e cila eshte shndërruar në një problem të madh për banorët.

Ata ndihen të shqetësuar nga era e rëndë e padurueshme që është përhapur kudo, por edhe nga rreziku që sjell dekompozimi i mbeturinave nën temperaturat e larta. Gazetarja Dorjana Bezat ishte në Shijak dhe bisedoi me kreun e Bashkisë, sipas të cilit, shkak për situatën është koha e nevojshme që kërkon nënshkrimi i marrëveshjes me landfillin e Sharrës.

Ndërkaq të pyetur nga News24, burime zyrtare nga Landfilli i Sharrës thanë se vetë bashkia e Shijakut me kërkesë zyrtare kërkoi t’i vihet në dispozicion një aktmarrëveshje depozitimi ndërmjet palëve. Aktmarrëveshja u bë sipas kërkesës së bashkisë Shijak, por tani Bashkia nuk e firmos.

Më keq akoma është situata në lindje të qytetit, në Shilorje, ku është gjetur një zgjidhje në dëm të shëndetit të qytetarëve. Aty po digjen mbetje urbane duke nxjerrë shtëllunga tymi helmues me erë të rëndë. Në pritje të zgjidhjes së situatës, banorët durojnë situatën e rëndë të shkaktuar nga mbeturinat në qytet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: