Situata virale në qarkun e Beratit po paraqitet kritike gjatë këtij dimri,me raste të shumta virozash, me fluks të shtuar në Pediatri, Urgjencë dhe Infektiv.
Lajmin e bën të ditur shefja e Repartit Infektiv në Spitalin Rajonal Berat,mjekja infeksioniste Valbona Papa,e cila konfirmon se kemi të bëjmë me “Grip A” dhe jo Covid.
“Jemi në një situatë vërtet kritike të tre muajve të dimrit. Kjo është një periudhë ku fluksi më i madh i rasteve mbërrijnë në urgjencë dhe pediatri, janë të regjistruar deri tani rreth 150-200 raste fëmijësh të sëmurë në Repartin e Pedistrisë dhe 100 raste me gjendje febrile dhe viroza në Repartin e Urgjencës”, ka thënë mjekja Papa.
Sipas Papës, një numër i lartë të prekurish nga këto viroza janë edhe në shtëpi, pasi kjo sëmundje virale që është duke qarkulluar në qarkun e Beratit transmetohet nëpërmjet rrugëve të sipërme respiratore. Papa konfirmon se ka pasur edhe raste me komplikacione që janë shtruar në Repartin e Infektivit dhe Repartin e Pathologjisë, ku janë 4-5 raste të kalimit në formë më të rënduar të moshave të treta, mbi 65-vjeç, që vuajnë edhe nga sëmundjet kronike.
“Është një sëmundje virale, sipas rezultateve të të shtruarve në Spitalin Rajonal Berat kemi të bëjmë me “Grip A”. Kjo sëmundje fillon me temperaturë të lartë, me ethe, me dhimbje koke, me dhimbje fyti, me kollë munduese, dhimbje gjoksi, dhimbje muskujsh, dhimbje shpine. Nga analizat e kryera konfirmohet se kemi të bëjmë me “Grip A” dhe asnjë lloj tjetër sëmundjeje virale, përfshirë këtu edhe Covid-in”, ka thënë mjekja infeksioniste Valbona Papa, e cila ka dhënë edhe këshillat për përballimin sa më efikas të simptomave të kësaj viroze.