Një numër i vogël mjekësh në krahasim me numrin e pacientëve. Kështu raportoi gazetari Erjon Skëndaj për “BalkanWeb” nga spitali Infektiv teksa foli për situatën në tre spitalet COVID, ndërkohë që nuk ka arritur të marrë informacion për spitalin e hapur të fundit COVID 4.

Ai tha se në Infektiv, situata paraqitet më e qetë, pasi ky spital pret vetëm urgjencat nga Jugu. Ndërkohë që foli për shtim të shtretërve dhe ezaurim të tyre.

“Dy autoambulanca, njëri zbriti pacientin, tjetra është e morgut. Situata duket e qetë. Ky spital ka ende shtretër të lirë, një numër të reduktuar. Këtu vijnë urgjencat nga Jugu i vendit. Ndërsa tek COVID 2 janë urgjencat e Tiranës, veriut dhe Juglindjes.
Në COVID 1 janë 100 shtretër të zënë, 20 të lirë, në COVID 3 janë 110-120 shtretër të zënë nga 150 që ka në total, ndërkohë që në spitalin COVID 2 numri i shtretërve të zënë ka qenë 250. Ky spital është shtuar nga kapacitetet gjatë pandemisë, duke u zgjeruar me kthimin në pavijon të katit të parë të konsultave dhe duke futur shtretër.
Në COVID 4 nuk kemi asnjë informacion nëse ka apo jo të shtruar. Stafet e spitaleve COVID janë të stërmunduara, vazhdojnë një betejë prej 9 muajsh pa asnjë pushim. Pushimi i vetëm që bëjnë kur infektohen nga COVID 19.
Ndërsa shtretërit shtohen, duke nisur nga spitali 1 ku ne jemi, duke nisur nga para pandemisë që kishte vetëm 70 shtretër, 17 mjekë, aktualisht spitali ka në forcë 13 mjekë primarë terciarë, sepse mjekët e tjerë janë dhënë borxh tek spitalet COVID 3 dhe COVID 4, ndërkohë që numri i pacientëve është shtuar me 120 dhe ka 13 mjekë.
Tek spitali COVID 2 sot ka 250 shtretër dhe vetëm 20 mjekë në total, 6 mjekë internistë dhe 14 mjekë pneumologë, nga të cilët 2 janë gjithmonë thuajse të prekur nga COVID-19. Numri i pacientëve nga 192 që numëronte spitali deri dje, sot ka 250 të gjithë duhet të marrin trajtim nga 20 mjekë”, raportoi Skëndaj.

Sa i përket testimeve të shpejta të nisura dje, ai tha se do të bëhen nga ekspertët e shëndetit publik, qofshin nga ISHP apo ASHR të cilët bëjnë hetimin epidemiologjik. “Me kalimin e kohës do të ketë pika në Tiranë dhe në rreth ku në këto pika qytetarët do të bëjnë testin e shpejtë por gjithmonë me rezervim nga mjeku i familjes”, tha Skëndaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb