Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani i është kundërpërgjigjur ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ku kjo e fundit pohoi se nuk ishte njoftuar zyrtarisht për shfuqizimin e katër dekreteve për konsujt. Këta të fundit do të kthehen në Kosovë, ndonëse ishin emëruar muaj më parë në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Presidenca në një përgjigje për Gazetën Express tha se dekretet janë dorëzuar në mënyrë elektronike te të gjitha palët.

“U.d. Presidentja përpara publikimit të vendimit e ka njoftu Kryeministrin Hoti në orën 10:30 dhe pastaj ministren Haradinaj rreth orës 17:00”, thuhet në përgjigjen e Presidencës. MPJD ka thënë se nuk mund të ndërmarrin asnjë hap, derisa t’i pranojnë zyrtarisht dokumentet nga Presidenca.

Të mërkurën, Presidenca ka njoftuar se u.d. e presidentes, Vjosa Osmani i ka shfuqizuar katër dekretet për emërimin e konsujve të përgjithshëm të Kosovës në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë. Vendimi i Osmanit ka ardhur pasi Flakron Shala, djali i deputetit të AAK-së, Haxhi Shala, është emëruar si konsull i përgjithshëm në Pragë të Çekisë. Po ashtu janë shkarkuar edhe Blendi Kilaj nga konsullata në Lubjanë, Lindon Kqira nga konsullata në Shkup dhe Halim Krasniqi nga konsullata e Kosovës në Tiranë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: