TIRANË

Ministrja e Shtetit për Parlamentin Elisa Spiropali ka dalë sot para mediave pas marrjes së detyrës së re, ndërkohë që ka folur edhe për anulimin e koncesionit për aksin Thumanë-Kashar.

Ajo i quajti qesharake deklaratat e opozitës se nuk kishte buxhet për këtë rrugë dhe se qeveria mashtroi studentët kur tha se financimet do kalonin për ta.

“Dua të flas dhe për reagimin e opozitës ndaj deklaratës së ministres Balluku për rrugën Thumanë-Kashar. U thanë gjatë ditës së djeshme por dhe sot shumë të pavërteta dhe madje u ekspozua dhe një tabelë ku u dëshmua se në buxhetin e 2019 nuk ka fonde për këtë aks. Keqardhje për këtë akt të ulët të politikës. Por sa mirë na jepet mundësia për të shpjeguar këtë mekanizëm që ka një deformim të qëllimshëm për të pavërteta që hidhen për konsum në opinionin pulbik.

Rruga e Arbrit figuronte si rrugë që nuk ka buxhet, ndërkohë deri sot Rruga e Arbrit është ndërtuar me fonde të kompanisë, këtë vit nis të kontribuojë qeveria. Ky është mekanizmi i PPP, ndaj PPP-të nuk janë krime. Procedura Thumanë-Kashar ishte në fazën finale dhe do niste puna e subjektit privat.

Po rruga Milot-Balldren është në tabelë? Jo. Po rruga Orikum-Llogara. Gjithashtu nuk ka fonde të përcaktuara në buxhetin e 2019. Këto dy rrugë do nisin të ndërtohen shumë shpejt sepse procedurat janë duke përfunduar dhe do ndërtohen me masën e përcaktuar 100% nga kompania, ndërsa shtetit do ketë kontributet e veta sipas kalendarit të përcaktuar”, deklaroi Spiropali.

Ajo theksoi se opozitarët tanë gabuan rëndë kur thanë se rruga nuk ka asnjë lek. “Është për të qeshur dhe për qarë. Të gjitha këto rrugë do jenë realitete që do iu shërbejnë qytetarëve. Nga dje procedura Thumanë-Kashar është anuluar dhe hapësira fiskale e qeverisë do i kalojë kampusit. Ne themi atë që bëjmë dhe padiskutim bëjmë atë që themi. Kjo qeveri është edhe fryt i protestës së studentëve dhe padyshim do bëjë për studentët më shumë se sa është bërë në gjithë këto vite së bashku”, deklaroi ministrja Spiropali.

E pyetur nëse anulimi i PPP a ka ndonjë pasojë juridike, ministrja Spiropali tha se vendimi është marrë dje, përkundrazi ka pasoja të shumta sociale dhe ekonomike. “Më mirë këto para të shpenzohen në kampusin universitar, qytet student sesa në atë rrugë”, u shpreh Spiropali. Për sa i përket shifrave, ministrja u shpreh se për të gjitha rrugët ka një kalendar financiar dhe vitet kur duhet të paguar.

Spiropali ishte para mediave për të vendosur komunikimin si zëdhënëse e qeverisë. Ajo tha se nëse autoritetet publike nuk do të japin informacione për mediat dhe qytetarët, atëherë në komunikim së bashku ne do të bëjmë të mundur që këto akte të merren dhe të publikohen nga media.

“Faleminderit që keni ardhur! Është sot një komunikim i parë me ju por shpresoj jo i fundit duke qenë se në cilësinë e ministrit për marrëdhëniet me parlamentin do të kryej edhe funksionin e zëdhënësit të qeverisë. Kështu që me ju por edhe përmes jush do komunikoj me publikun dhe dëshiroj të komunikoj me publikun duke pasur dashamirësinë tuaj për të gjitha nismat, të gjitha projektligjet, të gjitha aktet e qeverisë që kanë një impakt të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Është e rëndësishme që ne ta vendosim këtë komunikim së bashku në mënyrë që qytetarët të kenë gjithë informacionin e mundshëm mbi nismat të cilat ndikojnë në jetën e tyre por dhe të shtojmë procesin e transparencës në të gjitha nivelet.

Në kuadër të ligjit për informimin, siç ju e dini të gjitha autoritetet publike kanë detyrën që të japin informacione për mediat dhe qytetarët për dokumentet që prodhojnë ose mbajnë. Në momentin që kjo nuk ndodh, pra kur autoritete të caktuara publike do duan të mbajnë për vete dokumente që ata i prodhojnë apo që ata i kanë nxjerrë atëherë në komunikim së bashku ne do të bëjmë të mundur që këto akte të merren dhe të publikohen nga media. Kjo është në kuadër të shtimit të transparencës por edhe detyrimit që autoritetet publike të jenë të përgjegjshme para publikut dhe medias”, deklaroi ministrja Spiropali.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb