TIRANË

“Nuk ka institucion në botë që mund të guxojë të dalë kundër dekretit kushtetues të Presidentit të Republikës”. Kështu deklaroi Presidenti Ilir Meta gjatë konferencës së sotme me gazetarët teksa iu kërkua një koment pas renditjes së emrave, kandidatë për KED nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë Meta theksoi se nëse institucion që del kundër dekretit kushtetues të Presidentit do ketë edhe përgjigje.

“Nëse ka do dëgjoni dhe përgjigjen e Presidentit. Këtë Kushtetutë e kemi bërë me shqiptarët, me partnerët tanë, me Venecian. Boll u tallën. Tek Gjykata kushtetuese vija është e kuqe dhe e kuqe flakë’, deklaroi Meta.

Ai bëri një koment edhe për dy emrat që ‘luftojnë’ për një post në Gjykatën Kushtetuese, gjyqtaren Marsida Xhaferllari dhe Arta Vorpsi.

Meta tha se ishte i bindur në integritetin e znj. Xhaferllari.

“Nuk kam dashur të hyj në çështje emrash. Kam preferuar zonjën Xhaferllari se kam qenë i bindur në integritetin e saj. E ka treguar integritetin jo vetëm gjatë veprimtarisë së saj por e ka treguar sepse ka respektuar frymën e Kushtetutës duke kandiduar vetëm për një vakancë. Nuk është normale të kandidosh për 4 vakanca. Znj. Xhaferllari mund të kishte kandiduar dhe për 2 vakanca, ajo ka respektuar frymën e Kushtetutës.

Për zonjën Vorpsi kam pasur një rezervë sepse ka qenë anëtare e grupit të ekspertëve për reformën në drejtësi për Gjykatën e Lartë. Është deklaruar se këta ekspertë nuk do të merren në konsideratë kur të ndërtohen këto institucione për të qenë pjesë e tyre. Ishte një marrëveshje xhentelmenësh dhe publike.

Znj. Xhaferllari ka qenë kandidate për kryetare të KQZ kur unë isha në koalicion me doktorin dhe e di shumë mirë që PD dhe koalicioni që drejtohej nga PD nuk e ka votuar dhe e ka rrëzuar sepse nuk vlerësohej si njeri i besueshëm për partinë”, deklaroi Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb